KreuCelebrity

Manjola Nallbani: “Jetoj”, 4 minutat më të bukura të jetës!

Artistja ikonike e muzikës Manjola Nallbani, e cila ka gdhendur për dekada hite që mbahen mend nga publiku, rikthehet në skenën e “Këngës Magjike”, duke dëshmuar sërish se gjithmonë di të rrëmbejë zemrën e artdashësve. Një këngë dedikuar dashurisë, asaj që errësirën e kthen në dritë, asaj që na jep frymë, asaj pa të cilën nuk jetojmë dot. E teksa e dëgjon, i magjepsur nga vokali brilant, muzika vibruese dhe një tekst i shkëlqyer, mendon: Një këngë për dashurinë? Edhe pse bota e saj është e rrethuar nga tinguj dhe magjia e muzikës, Manjola Nallbani beson se përpos teknologjisë që ka zënë vend në jetën tonë, e vetmja e cila nuk do të preket është dashuria dhe ndjesia e humanes, ndaj ajo ka vendosur që me këngën “Jetoj” të na bëjë të jetojmë katër minuta të mbushura me momente të bukura dhe plot emocione.   

Manjola, sapo prezantuat te “Kënga Magjike” këngën tuaj “Jetoj”, cila ishte ndjesia të riktheheshe në festival?

Unë e kam nisur me festivale, dhe festivalet janë skena që më së tepërmi më përfaqëson, ku unë e gjej shumë veten. Kënga “Jetoj” është një material që nga dita e parë kur e kemi punuar, e deri më sot e kam shumë për zemër. E vlerësoj shumë kompozitorin e këngës, Jeris Kaso, një artist shumë i talentuar, i cili është mbi të gjitha shumë i përkushtuar dhe shumë punëtor. Më ka pëlqyer dhe e kam dashur që momentin e parë, e deri sot kur e këndoj, si në skenë, por edhe për veten time. Më emocionoi njësoj poezia e Elios Shulit, ndaj e punuam shumë gjatë për të ardhur kënga në këtë nivel që është dhe që të jem e kënaqur me veten time. Kënga më emocionon në çdo notë, sepse nëse nuk më emocionon mua, shumë vështirë ta përcjellësh një emocion që s'e ndjen te publiku. Një vlerë shumë të madhe kënga ka marrë edhe nga performanca. Ajo ideja e resë, ishte e regjisorit Aldon Lipe që bën gjëra të mëdha, pa zhurmë. Një veshje “uau”, vërtet magjike e realizuar nga miku dhe artisti që e kam pasur shumë herë në krah gjatë karrierës sime, Joni Peçi. Ela Perës, që i kam thënë: “Më ke bërë të më hynte vetja në qejf me makeup-in”. Sigurisht mbështetja dhe krahu im i djathtë, vëllai im, Erald Nallbani i cili ishte pjesë e realizimit të performancës. Natyrisht, “Kënga Magjike” ta jep atë mundësi, që ta prezantosh këngën, jo thjesht vokalisht shumë mirë, por në të njëjtën kohë dhe vizualisht, duke u bërë një vlerë e tëra, e muzikës dhe fjalës, por në të njëjtën kohë, e asaj magjisë që krijohet përmes performancës.   

Si ka qenë impakti i audiencës?  

Unë jam shumë e kënaqur. Ka qenë mund të them edhe përtej pritshmërive, sepse unë e kam të qartë që në çdo këngë apo material muzikor, ti mund të bëhesh edhe pak subjektive në vlerësimin e në gjykim, sepse gjatë kohës që punon lidhesh shumë emocionalisht me këngën dhe me të gjithë njerëzit me të cilët bashkëpunon, e pastaj fillon edhe krijon një ide më të bukur se ç'duhet edhe për këngën. Realisht kam marrë shumë vlerësime dhe njerëzit e kanë mbi të gjitha vlerësuar faktin që jam rikthyer, duke qenë Manjola, duke mos dalë jashtë stilit dhe natyrës sime, por në të njëjtën kohë edhe duke qenë në kohë.   

Kjo këngë është dedikimi i një dashurie të përjetshme?

Në fakt kjo nisi me një mesazh shumë më të madh. Kur u takova me Jerisin për herë të parë më tha: Çfarë ke ndërmend, çfarë do të pëlqente? I thashë: kohët e fundit po shikojmë që artificialja po e mund njerëzoren, duke filluar nga ndjesitë dhe dashuria. Edhe pse duke u bërë kaq e fuqishme teknologjia dhe inteligjenca artificiale, më pëlqen t'i këndojmë faktit që gjëja që nuk doja të humbte, është dashuria, të qenit njeri. Kënga nuk është thjesht për dashurinë mes një çifti, po është “si do jetoj pa ty, se di”. Në ditët që do të vijnë nuk e kuptoj si do të jetojnë njerëzit, nëse nuk do të ndjejnë dashurinë që të merr frymën - sepse të gjithë jemi koshientë, gjërat po ndryshojnë, raportet njerëzore, në dashuri apo mënyrën si komunikojmë, janë më të ftohta, më virtuale.   

 

 

Çfarë pritshmërie ke nga festivali?  

Natyrisht, që të mos bëj hipokriten, të gjithë që hyjmë në atë festival, jemi për të marrë një vlerësim dinjitoz. Nuk e kam ambicien të sëmurë, por e pranoj me shumë respekt, të jetë fitorja e të tërë artistëve apo këngëve, që në gjykimin tim, çfarë kam dëgjuar deri tani, i konsideroj shumë të mira. Edhe nëse do të ndodhë, absolutisht do t’i uroj me gjithë zemër. Në rastet e konkurseve nuk më pëlqen, kur ndodhin të themi - fitore të çuditshme ose të pa merituara. Nuk është se jam unë që i gjykoj, kur është e pa merituar, por dhe pa gjë fare s'jam, se jam profesioniste e fushës prej shumë vitesh dhe besoj që nuk gjykoj gabim.

A mendon se është koha që të rrëmbesh kupën e “Këngës Magjike”?  

Tani nga kupat e fundit ka kaluar një kohë shumë e gjatë, ndaj pse jo. Çdo njeri, kushdo që hyn në një garë dhe sa kohë që ajo ka çmime, natyrisht secili pretendon për atë gjë.

Vite karriere, plot çmime të para e vlerësime. Si është raporti i suksesit me zhgënjimet nga garat?   

Mendoj që kam shumë më tepër arsye për të qenë e kënaqur, me çfarë kam arritur në vitet e karrierës sime. Sigurisht, ka pasur vite të një tranzicioni, në të gjithë drejtimet, që edhe kur i hyje një gare, nuk ishte si dikur - që i kishe gjërat pak a shumë të qarta. Hyje në një vorbull të çuditshme dhe s'kuptoje se ku dilje. Kurrë nuk kam thënë - që çmimet janë shitur apo janë blerë. Madje, kur kam dëgjuar diskutime të këtij lloji, kam thënë - nuk mund ta them këtë gjë, për sa kohë kur kam fituar vetë çmime. Nuk kam menduar kështu dhe nuk kam blerë askënd. Kur kam qenë vetë në juri? Nuk mund të dalë asnjeri të thotë, “Manjolës i kam dhënë këtë”. Patjetër, kam marrë zhgënjime të cilat ndoshta, nuk kanë pasur lidhje me pritshmërinë që duhet të fitoj. Për mua kanë qenë më të rëndësishme recitalet, që kanë qenë Manjola nga fillimi në fund, në sensin e konceptit, të repertorit dhe të interpretimit, këto i kam bërë me një grup njerëzish shumë mbështetës dhe të talentuar, me të cilët kam pasur fatin të punoj, që më kanë vlerësuar dhe dashur, si artiste dhe njeri. Po ashtu, i kam vlerësuar dhe dashur në të dy këto dimensione dhe kjo lloj energjie sjell gjëra shumë të mira në të njëjtën kohë. Kombinimi i brezave, i shijeve besoj që nxjerr punë shumë të mira dhe që vijnë në kohë.  

Je prezente në skena, në spektakle, ke bërë koncerte recitale. Çfarë të motivon kur merr pjesë në një festival?  

Festivali ka tjetër audiencë, shikohet nga një pjesë më e madhe e publikut dhe ka më tepër vëmendje, pastaj vetë gara ka magjinë e vetë 

A ke një peng nga karriera, një këngë që mendon se ka merituar më shumë dhe nuk është vlerësuar siç duhet?  

Po kam. Më vjen në mend një moment tani, kënga “I njëjti qiell” në Festival të RTSH-së, që megjithëse 2000 vetë në Pallatin e Kongreseve - ishte kënga e vetme që e ktheu publikun natën e parë dhe unë nuk jam as varianti që sjell gjithë shoqet dhe shokët e shkollës. Do të thotë një të vërtetë, e pati ai reagim. Nuk po them absolutisht që ishte këngë për të cilën them: si s'fitoja çmim të parë apo dytë, por realisht u rrezikua që të dilja në natë të tretë dhe kjo m’u duk shumë e tepërt, pak e shëmtuar dhe pak për t'u vënë në dyshim.   

Cila është kënga që të kërkojnë të këndosh në çdo event?  

“Kur humba një dashuri”, edhe Bareshën, sidomos nëpër diasporë shumë.   

Kënga jote e zemrës, që ti e ke të shenjtë, e do më shumë nga të tjerat?  

Ëh, kënga e zemrës! Kam në fakt deri tani disa këngë që më pëlqejnë më shumë. “Kur humba një dashuri”, sepse e duan dhe njerëzit shumë, pra është kënga që ma duan më shumë. Dhe unë vazhdoj akoma e këndoj me shumë emocion. Nuk i ka humbur asnjë lloj magjie asaj kënge. Profesionalisht, si një material ndryshe dhe i veçantë është “Vetëm unë” e Këngës Magjike të fundit dhe tani kam shumë përzemër “Jetoj”.  

Çfarë pret nga skena në Pallatin e Kongreseve? A të kanë nisur emocionet që tani?

Pres që “Jetoj” të jetë një pjesë e magjisë së madhe të “Këngës Magjike”, të emocionojë zemrat e njerëzve. Këngët e festivaleve, prandaj kanë mbetur kaq shumë, se njerëzit dëgjonin më shumë muzikë, emocionoheshin më shumë. I donin shumë artistët, ishin të lidhur me këngëtarët. Jeta nuk kishte këtë ritmin frenetik të tanishëm, ku rendim më shumë pas gjërave më tepër materiale. Shpresoj që ato minuta të zënë vend në zemrat e njerëzve dhe të thonë që “Manjola na i bëri katër minuta të jetës prapë të bukura”.

Gjithmonë je aktive, sapo lançon një këngë, nis direkt të mendosh për projektin tjetër apo merr një pauzë? Si është konceptuar rutina jote artistike?   

Jam njeriu që më vijnë të gjitha aktivitetet në një kohë, por faleminderit Zotit, kam treguar që i kam mbajtur. Edhe kur kam periudha pauze, nis e mendoj ç'do bëj në hapin e radhës. Besoj që gjëja që më lodh më tepër është se e marr çdo gjë jashtë mase seriozisht. Kur e kanë pyetur kolegun dhe mikun tim regjisorin Redian Mulla, si kaluat dhe si t’u duk Manjola, kur punuam musical-in “Mama mia”, ai tha: Shumë mirë, por Manjola është një kafshë e vërtetë pune. Unë e di që e kam këtë pjesën e kafshës së punës, e mundoj shumë veten, po besoj që në fund kënaqem me rezultatin. Të nesërmen, edhe pse mund të jem lodhur, nuk më zë vendi nëse rri kot.   

A ke një plan konkret deri në fundvit?  

Kam një aktivitet të rëndësishëm në Londër me një fondacion që promovon dhe mbështet studentët ekselentë shqiptarë, pastaj janë festat e nëntorit. Do të rivëmë në skenë në musical-in “Mamia mia” që rezultoi një sukses i vërtetë dhe studentët ishin të shkëlqyer, pastaj angazhimet në Akademinë e Arteve, duan po ashtu kohën dhe dedikimin e tyre.