Jo të gjithë e dinë se përpara se të bëhej një nga këngëtarët më të famshëm në botë, Julio Iglesias ishte një talent i madh i futbollit. Në fillim të viteve ’60, ai luante për Real Madrid Castilla, skuadra e të rinjve të klubit legjendar, dhe ëndërronte një karrierë sportive të ndritur.
Por jeta kishte plane të tjera për të. Në natën mes 21 dhe 22 shtatorit 1963, vetëm një ditë para se të mbushte 20 vjeç, Julio pësoi një aksident të rëndë automobilistik ndërsa udhëtonte me disa miq. Kur u zgjua në spital, mjekët i dhanë lajmin që do t’i ndryshonte jetën: ndoshta nuk do të mund të ecte më. Ai mbeti pjesërisht i paralizuar për dy vjet, i lidhur pas shtratit të spitalit.

Por pikërisht aty, në atë moment errësire, ndodhi diçka që do të ndryshonte gjithçka. Një infermiere i dhuroi një kitarë, për ta ndihmuar të kalonte kohën dhe të lehtësonte dhimbjet. Ajo dhuratë e vogël u bë drita që do t’i hapte rrugën një destinacioni të ri. Muzika u bë aleatja e tij më e madhe.
Pas rikuperimit, Julio u transferua në Angli për të mësuar anglishten dhe për të fituar disa para duke kënduar në pub-e. Ai nisi të shkruante këngë dhe i dërgoi disa prej tyre një shtëpie diskografike në Spanjë, me shpresën se do t’i interpretonte ndonjë artist i njohur. Por përgjigjja që mori e tronditi:
“Duhet t’i këndosh vetë këto këngë.”
Julio u habit. “Unë? Por unë nuk jam këngëtar,” u përgjigj.
Dhe megjithatë, që nga ai moment, gjithçka ndryshoi.

Nga një djalë që luftonte për të ecur, Julio Iglesias u kthye në një ikonë botërore të muzikës, elegancës dhe stilit, duke shitur mbi 350 milionë disqe në mbarë botën.
Nga një dhomë spitali ku gjithçka dukej e humbur, lindi një zë që do të bënte të dashurohej një botë e tërë. Sepse ndonjëherë, fati nuk bërtet – ai pëshpërit.
Dhe Julio, nga ai pëshpëritje, krijoi një melodi të përjetshme.
