Bukuria mund të jetë subjektive, por një analizë e re “shkencore” ka vendosur që aktorja fituese e Oscar-it, Emma Stone, mban tani titullin e gruas më të bukur në botë të paktën sipas përllogaritjeve të të ashtuquajturit “Greek Golden Ratio”.
Metoda, e njohur që në kohët e lashta greke, vlerëson harmoninë e fytyrës duke e ndarë atë në raporte matematikore 1:1.618, për të matur “perfeksionin” e elementeve si distanca mes hundës dhe buzëve, proporcioni i ballit, forma e vetullave dhe përmasat e nofullës.
Sipas studimit të ri të drejtuar nga Dr. Julian De Silva, kirurg plastik dhe drejtues i Centre for Advanced Facial Cosmetic and Plastic Surgery, Emma Stone ka dalë fituese me rezultate mbresëlënëse në pothuajse të gjitha kategoritë.
Dr. De Silva shpjegoi:
“Emma Stone ishte fituesja e qartë kur u matën të gjitha elementet e fytyrës. Ajo mori pikët më të larta për vetullat (94.2%), një nofull pothuajse perfekte me 97% dhe buzë shumë të balancuara me 95.6%. Ajo kryesoi falë konsistencës së saj të lartë në të gjitha elementet e Golden Ratio.”
Emma nuk ishte e vetmja aktore e Hollivudit që dominoi listën. Në vendin e dytë u rendit Zendaya, ndërsa Freida Pinto plotësoi top treshe. Ndër figurat e tjera të përfshira në top 10 ishin edhe Margot Robbie dhe Jenna Ortega.
Studimi shpjegon se teknologjia e përdorur kombinon hartëzim kompjuterik dhe analiza matematikore për të përcaktuar se si matet “perfeksioni fizik” një metodë që përdoret nga kirurgët edhe për planifikimin e operacioneve estetike.
Ndërkohë, tek meshkujt, titulli i burrit më të bukur sipas të njëjtit sistem i është dhënë aktorit britanik Aaron Taylor-Johnson, i cili aktualisht përmendet si favorit për rolin e ardhshëm të James Bond. Ai mori një rezultat të lartë prej 93.04%, duke lënë pas Lucien Laviscount dhe Paul Mescal, të cilët plotësojnë top treshe.

Dr. De Silva u shpreh:
“Aaron ishte fituesi i qartë kur u matën të gjitha elementet e fytyrës për perfeksion fizik. Rezultati i tij do ta bënte lehtësisht Bond-in më të pashëm në histori, nëse merr rolin.”
Në fund, ekspertët këshillojnë publikun të mos e marrë shumë seriozisht listën veçanërisht meshkujt e zënë që mund të gjenden në situata të sikletshme nëse pyeten për të bukurën më të madhe në botë.
Siç thotë me humor Dr. De Silva: “Nëse gruaja jote të pyet, mos harro: përgjigjja e duhur është gjithmonë ajo.”
