Bella Hadid ka zgjedhur të flasë hapur edhe një herë për sfidat që i sjell sëmundja kronike Lyme, me të cilën përballet prej vitesh. Modelja 28-vjeçare ndau më 14 nëntor dy postime në Instagram Stories, ku pasqyroi gjendjen e saj emocionale dhe fizike.
Në postimin e parë, Bella shpërndau një memë ironike që i referohej vështirësive të të jetuarit me një sëmundje që nuk largohet kurrë. Ajo nuk komentoi, por mesazhi ishte i qartë: lodhja e të sqaruarit vazhdimisht se një sëmundje kronike… është kronike. Në një Story tjetër, një rishpërndarje nga influencerja Alexandra Wildeson, Bella u tregua më e ndjeshme, duke pranuar se ankthi mjekësor është pjesë e pandashme e realitetit të saj. “Ke përmbledhur çdo mendim timin. E vërteta absolute”, shkroi modelja.
Muajt e fundit kanë qenë të mbushur me sfida. Në shtator, Hadid publikoi imazhe nga spitali, e lidhur me infuzione, teksa merrte trajtim për Lyme. Ajo kërkoi ndjesë për zhdukjet e shpeshta, duke theksuar se përkrahja e fansave i jep forcë. Pak ditë më vonë, ndau momentin e saj të parë në palestër pas një periudhe të gjatë rikuperimi, duke treguar se po i afrohej ngadalë ritmit normal: “Thjesht po ec, por prapë! Po marr veten.”
Megjithë problemet shëndetësore, Bella arriti të rikthehej në pasarelë për Saint Laurent gjatë Javës së Modës në Paris në shtator, një prej paraqitjeve të saj më të komentuara të sezonit.
Edhe nëna e saj, Yolanda Hadid, e cila vuan gjithashtu nga Lyme, ka folur publikisht për dhimbjen që përjeton teksa e sheh të bijën të luftojë. Ajo e quajti situatën “një ferr të panjohur” dhe Bellën “luftëtare”, duke theksuar se shumë prej vuajtjeve të saj ndodhin larg syve të publikut.
Bella u diagnostikua me Lyme në vitin 2012, së bashku me Yolanda-n dhe vëllain e saj Anwar. Gjatë gjithë këtyre viteve, modelja është përballur me dhimbje kyçesh, mjegullim të trurit, lodhje ekstreme dhe ankth – simptoma që, sipas nënës së saj, “mund të të rrëzojnë në gjunjë”.
Në vitin 2023, Bella deklaroi se ndjente përmirësim të ndjeshëm pas më shumë se tre muajsh trajtim intensiv, duke e përshkruar atë periudhë si një fillim të ri për të. “Pas pothuajse 15 vitesh vuajtje të padukshme, më në fund po jetoj nga një kupë e mbushur me dashuri”, pati shkruar në atë kohë.
Përmes mesazheve të saj të fundit, Hadid duket e vendosur të vazhdojë t’i japë zë realitetit të sëmundjeve kronike dhe të ofrojë mbështetje për ata që përballen me të njëjtin rrugëtim.
