Dy vite më parë kishte tentuar ta mbyste, duke i lënë mavijosje në qafë dhe shumë frikë. Por për Olena Stasiuk, problemet e saj vinin që më herët: që në vitin 2018, ajo u kishte sinjalizuar shërbimeve sociale atë që më pas do të ndodhte tani, kur me një thikë të madhe kuzhine i preu fytin djalit të saj të vetëm, 9-vjeçarit, në shtëpinë e tyre në qendër të Muggia-s.
“O Giovanni do të qëndrojë me mua, ose unë jam e gatshme të vras fëmijën, të vras veten duke u hedhur në det, dhe të vras edhe Paolon”, – shkruhet në procesverbalin e Shërbimeve Sociale të datës 11 korrik 2018, kur gruas iu paraqit mundësia e dhënies së kujdestarisë ekskluzive të fëmijës babait te tij, Paolo Trame.
“Unë jam i shqetësuar për sigurinë e djalit tim – thuhej në deklarimet e babait në atë kohë. – Jam i shqetësuar për integritetin e tij. Ish-bashkëshortja ime mund të arrijë ta vrasë. Sepse kam parë çfarë ndodhte në shtëpi.”
Babai i të miturit, disa herë ndër vite, përmes avokatit të tij, ka ngritur dyshime në Gjykatën Civile të Triestes mbi ekuilibrin e saj psikik. Sot, avokatja e tij, Gigliola Bridda, flet për “sinjale ndoshta të nënvlerësuara”, edhe pse gruaja kohët e fundit nuk kishte shfaqur asnjë problem: ishte e rregullt në takime dhe nuk tregonte asnjë shqetësim. Por babai “e kujtonte mirë vitin 2017, kur gruaja kishte pasur një krizë të rëndë dhe ishte trajtuar me një ilaç të fortë që mund të administrohej vetëm në Qendrën e Shëndetit Mendor. Më pas – vazhdon avokatja – ajo e ndërpreu këtë trajtim”.
Pas tetë vitesh betejash ligjore dhe akuzash të ndërsjella, “babai shihej si tepër i shqetësuar”, ndërsa ajo nuk jepte shenja rreziku. “Por ajo e kishte thënë edhe në 2018 se nëse do t’i merrej djali, ajo do të hidhej në det me të.”
“Në vitin 2023, gruaja e shihte djalin vetëm një herë në javë. Më pas, pas episodit kur i vuri duart në qafë dhe një rasti tjetër dhune, gjyqtarja vendosi që takimet të zhvilloheshin vetëm në mënyrë të mbrojtur.”
Në prill 2025, psikologia Erika Jakovcic, pas shumë takimesh dhe vlerësimesh të palëve, sugjeroi që fëmija të jetonte me të atin, por të shtohej frekuentimi me nënën, qoftë vetëm, qoftë në prani të edukatorëve dhe asistentëve socialë. Kështu, më 13 maj të këtij viti, gjykata i dha nënës një takim të vetëm në javë, të mërkurën pasdite, pa mbikëqyrje.
“Ndoshta në emër të prindërimit u desh t’i jepej besim një nëne”, thekson avokatja Bridda. Por më pas përfundon: “Kishim kërkuar një ekspertizë psikiatrike, por ajo nuk u krye kurrë.”

