Hygerta Sako ka zbuluar më në fund arsyen e “zhdukjes” së saj të papritur nga ekrani i RTSH-së. Moderatorja sportive, e njohur për energjinë dhe profesionalizmin e saj, është shfaqur mbrëmë si banorja e parë që hyri në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4, duke hapur zyrtarisht edicionin e ri të reality show-t.
“Çfarëdo që më vjen përballë, do të përballet me veten time,” deklaroi Hygerta sapo kaloi derën e shtëpisë, një hyrje plot vetëbesim dhe vendosmëri.
Prej javësh emri i saj qarkullonte në rrjet si pjesë e mundshme e kastit, por moderatorja asnjëherë nuk pranoi publikisht asgjë. Sot, para kamerave të Klan Kosova, pritjet u zeruan: Hygerta është zyrtarisht pjesë e BBVK.
Ndërkohë, në prapaskenë nuk kanë munguar zhvillimet. Burime kanë bërë të ditur se drejtues të RTSH kanë dërguar një email të brendshëm ku thuhej se promoja e programit të saj nuk do të transmetohej, duke sinjalizuar se largimi i saj ishte vendosur më herët nga vetë moderatorja.

