KreuCelebrity

Donald Trump padit New York Times për 15 miliardë dollarë: Jam viktimë e shpifjeve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paditur gazetën The New York Times, katër prej gazetarëve të saj dhe shtëpinë botuese Penguin Random House, dhe ka kërkuar dëmshpërblim prej të paktën 15 miliardë dollarësh, duke pretenduar se ka qenë viktimë e shpifjeve dhe se i është dëmtuar reputacioni.

Padia e Trumpit në një gjykatë në Florida përfshin disa shkrime të New York Times-it, njëri prej të cilëve ishte editorial para zgjedhjeve presidenciale të 2024-tës, që thoshte se ai nuk ishte i denjë për postin më të lartë shtetëror, dhe një libër të publikuar nga Penguin-i, i titulluar “Humbësi me fat: Si e shpërdoroi Donald Trump pasurinë e të atit dhe krijoi iluzionin e suksesit”.

“Të pandehurit kanë publikuar me keqdashje librin dhe artikujt, duke e ditur se këto botime ishin plot shtrembërime dhe fabrikime të pështira për presidentin Trump”, thuhet në shkresën e dorëzuar të hënën në Gjykatën e Qarkut në Florida.

Avokatët e Trumpit kanë thënë se botimet kanë dëmtuar reputacionin personal dhe biznesor të Trumpit, duke shkaktuar dëm masiv ekonomik ndaj vlerës së markës së tij, dhe dëme të konsiderueshme ndaj perspektivës së tij financiare.