
Kur takoj të huaj që kanë lënë vendin e tyre për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri, mendoj: të gjithë duan të ikin, këta vijnë! Pse? Ka nga ata që thonë se vendi ynë i duket ‘ekzotik’, të tjerë pëlqejnë atë kaosin “e ëmbël” që josh aventurierët, por gjithsesi, ka nga ata që jetuan me ne edhe kur nuk kishte, as drita, as ujë. Truman, (emri i vërtetë Vincenzo Giannattasio) është një prej tyre! Për të, javët ose muajt e parë ishin të mbushura me adrenalinën e jetës së natës, muzikën underground, takime me djem e vajza me të cilët ndante të njëjta ide, por papritur, pasi hyri në këtë kapsulë – e pati të vështirë të dalë prej saj. Truman erdhi për një eksperiencë internship-i në UNDP Albania, pastaj u përfshi në lëvizje shoqërore si MJAFT, me idealet e vërteta që frymëzojnë çdo të ri (ato nuk kanë ndryshuar as sot), pastaj u njoh me artisten Kamela Islamaj, me të cilën bashkëjeton prej vitesh, padyshim, kur shumë arsye bëhen bashkë, e ke vështirë të largohesh. Pranon se shumë nga ata që ka njohur në fillim, me kalimin e viteve, u bënë familja e tij në Shqipëri. Truman jeton prej 15 vitesh në Tiranë, i fokusuar në sektorin e Advertising si Grafik Dizajner dhe Drejtor Creativ, ai ka punuar në kompanitë më të mëdha duke ideuar dhe drejtuar disa nga fushatat më të njohura publicitare në Shqipëri.
Sot, ai punon si konsulent marketingu dhe advertising-u për strategji dhe kreativitet me klientë nga Shqipëria dhe Italia. Me një shqipe të pastër, Truman na tregon për jetën në Tiranë, pjatën e preferuar: çomlekun me mish, por edhe për ca gjëra që nuk i pëlqejnë, por prapë e bëjnë të qëndrojë në Shqipëri...
Pse vendose të jetosh këtu, je ende në Tiranë pas 15 vitesh nga dita që shkele për herë të parë?
Në fakt nuk isha unë që vendosa të jetoja në Tiranë, por ishte vetë jeta që vendosi për mua. Në atë kohë jetoja në Madrid dhe erdhi një mundësi për një internship pranë Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, dhe kështu u transferova. Duhej të rrija vetëm tre muaj, por pas 15 vitesh jam ende këtu.
Kur u takuam, u habita nga mënyra sesi kishe arritur të bëje shumë miq që në fillim, mes tyre shumë emra të njohur dhe intelektualë...
Kudo që kam jetuar, gjithmonë kam kërkuar të frekuentoja vetëm vendasit. E njëjta gjë ndodhi edhe këtu në Tiranë. Pak për fat, pak për ato fijet misterioze që lëviz jeta, arrita që në fillim të gjej njerëz me të cilët ndaj ideale, background kulturor dhe intelektual, dhe me të cilët ishte e lehtë të krijoja një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme. Me kalimin e viteve, ata u bënë familja ime në Shqipëri.

Më intrigoi shumë termi ‘underground’ – ti bën muzikë të tillë, a është edhe jeta jote paksa e tillë?
Muzika që luaj është vetëm një pjesë e diskursit ‘underground’. Në Itali, por edhe në Spanjë e në Holandë, gjithmonë kam kërkuar të përjetoja situata jo- mainstream. Në Itali, për shembull, që nga vitet e para si adoleshent, frekuentoja qendrat sociale, shkoja të bëja graffiti, dëgjoja muzikë grunge, punk dhe hip hop. Kam qenë gjithmonë i tërhequr nga historitë e drejtpërdrejta, të ashpra, lufta e më të dobëtit kundër të fortit. Formimi im kulturor më afroi me këtë lloj kulture, që mund ta quajmë ‘underground’.
Si e gjete veten në sektorin Advertising, ke punuar në shumë kompani të njohura?
Reklama erdhi pak rastësisht. Kisha filluar të argëtohesha me graphic design që në vitin 1998, dhe kur në Shqipëri u lodha nga ambienti i organizatave ndërkombëtare, kërkova të ndërtoja një karrierë si graphic designer në fillim. Fatkeqësisht (dhe fatmirësisht, në fund të fundit), mundësitë e pakta për dizajnerë ishin vetëm në agjencitë e reklamave, dhe kështu fillova punë në advertising. Nisa si graphic designer në McCann, më pas në Ogilvy vazhdova si art director dhe associate creative director, dhe në fund, në Gogel Publicis, ku bëra rolin e creative director për rreth 7 vjet. Sot punoj si konsulent marketingu dhe advertising-u për strategji dhe kreativitet me klientë të ndryshëm, kryesisht në Shqipëri dhe Itali. Paralelisht, jam pjesë e një kolektivi artistik me Ledia Kostandinin dhe Elian Stefën, ku transformojmë hapësirat publike përmes artit.
A kanë shqiptarët qasje ndaj advertising, duket sikur këtu askush nuk i merr seriozisht reklamat?
Në opinionin tim, shqiptarët në përgjithësi janë mosbesues ndaj kompanive dhe institucioneve. Kjo ndoshta vjen nga fakti që kanë marrë goditje të mëdha ndër vite, fillimisht me regjimin dhe më pas me krizën e skemave piramidale që shpërtheu në ’97, kështu që është plotësisht e kuptueshme. Si pasojë, edhe reklama e vuan këtë mosbesim.
A ka një tipologji reklamimi që i josh shqiptarët, pra a ka një trick?
Nga njëra anë, nuk mendoj se ka një teknikë të saktë, por besoj te reklama etike dhe pa gënjeshtra. Vetëm duke thënë të vërtetën, mund t’i afrohesh njerëzve, përndryshe hyn në lojë ai mosbesim për të cilin folëm më lart. Nga ana tjetër, mendoj se në këtë moment shqiptarët janë të tërhequr nga një lloj komunikimi që premton një stil jete luksoz. Por kjo është pasojë e mbi-ekspozimit nga rrjetet sociale ndaj këtij lifestyle-i. Jetojmë ende, dhe gjithnjë e më shumë, në atë që Guy Debordtheorizoj si La Société du Spectacle. Fatkeqësisht është një plagë që nuk njeh kufij.
Reklama “Në Kohën e Duhur” e Albtelecom me personazhin e alienit, ka qenë kaq futuristike, argëtuese dhe me mesazh, mendoni se marka shet, apo fabula sesi ti e vendos produktin?
Rasti i serialit të Albtelecom është një shembull i shkëlqyer i content marketing-ut. Ideja ishte të krijohej një përmbajtje që audienca mund ta konsumonte pa i imponuar produktin në narrativë. Në episodet e serialit në YouTube, produkti nuk ishte fare i pranishëm. Vetëm në televizion, me reklama të dedikuara, integrohej produkti në histori. Ideja jonë ishte t’i ofronim diçka publikut përtej reklamës së thjeshtë, dhe rezultatet në terma të brand awareness-it dhe shitjeve ishin të jashtëzakonshme.


Një drejtor creativ duhet të krijojë gjithçka kundrejt parasë apo duke respektuar shijet e tij estetike?
Shijet estetike nuk diskutohen në këtë rast. Unë besoj se një drejtor kreativ duhet të shtyjë përpara një punë të mirë, pavarësisht shijeve personale estetike. Më e rëndësishmja është që produkti final të jetë i përshtatur me kërkesat e klientit dhe të komunikojë në mënyrë efektive me target audiencën. Sa i përket kufizimeve të tjera, për mua ato janë thjesht etike, si për shembull, të shmang objektifikimin e gruas në komunikimin që kam bërë gjatë viteve.
A të ka ndodhur që ti krijon, por ideja nuk është sinkron me klientin, si e gjeni gjuhën e përbashkët?
Sigurisht që ka ndodhur, dhe jo pak herë, që klienti nuk ka pranuar një ide. Si drejtor kreativ, dhe në përgjithësi si profesionist në advertising, në teori klienti duhet të të besojë. Por në proces ka shumë elementë në lojë dhe e kuptoj edhe këndvështrimin e tij. Ndonjëherë kam arritur të mbroj idetë tona, ndonjëherë kemi bërë kompromise, e ndonjëherë kemi pranuar kërkesën e klientit. Ky është realiteti i jetës, ndodh në çdo fushë.

Pas 15 vitesh në Tiranë, çfarë të pëlqen më shumë dhe çfarë nuk të pëlqen në jetën e përditshme?
Gjëja më interesante për Tiranën është se është një qytet në zhvillim të vazhdueshëm, ka shumë dinamizëm dhe ajri është i elektrizuar. Ajo që nuk më pëlqen është kaosi dhe mungesa e harmonisë estetike.
A ke një ushqim të preferuar nga kuzhina shqiptare?
Po, çomleku, shumë i shijshëm. Përveç çomlekut, edhe gatimet e tjera, si paçja te tregu i biçikletave.
Nëse një italian të pyet: dua të jetoj në Shqipëri, cila do të ishte përgjigjja jote?
Je i sigurt? (Shaka, sigurisht). Një italian që do të jetojë këtu, duhet thjesht të kuptojë që kjo nuk është Italia, kështu që duhet të jetë ai që duhet të përshtatet me vendin dhe kulturën, dhe jo e kundërta.
Për çfarë arsyeje do t’i thoshe lamtumirë Shqipërisë?
Për shumë arsye, të njëjtat arsye për të cilat lashë Spanjën, Holandën, Italinë. Njeriu është kureshtar, dhe kur kureshtja ime do të më shtyjë të kërkoj diçka tjetër, atëherë do të vijë momenti për t’u larguar...
Nga Olsi Kolami
-
Stela Rustemaj në kërkim të lirisë së brendshme! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO
13 Shtator, 14:07 -
Alket Islami: Vdekja? Njerëzit duhet të shkojnë të lumtur drejt saj!
13 Shtator, 12:49


