
Një nga çiftet më të përfolura të viteve të fundit, Cindy Marina dhe Genar Topalli, i kanë dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore në Romë.
Modelja dhe prezantuesja e njohur, së bashku me djalin e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, kanë ndarë me ndjekësit momente nga dita e veçantë, e cila do të mbetet e paharrueshme jo vetëm për ta, por edhe për familjarët dhe miqtë që i shoqëruan.
Ceremonia e bekuar edhe nga Papa, një moment që çifti e cilëson si një kujtim të përjetshëm dhe një dhuratë shpirtërore me vlerë të jashtëzakonshme.

Në një postim të ndjerë në rrjete sociale, Genari shkruan:
“Sot, në Romë, zemra jonë rreh më fort se kurrë. Është një ditë e mbushur me emocione të pafundme, lumturi dhe shumë dashuri. Në këtë ditë të shenjtë, unë dhe Cindy kurorëzojmë dashurinë tonë, duke marrë edhe bekimin e Papës – një bekim që e shndërron këtë çast në një kujtim të përjetshëm. Sot nis një kapitull i ri i jetës sonë, një rrugëtim i përbashkët i ndërtuar mbi dashuri, besim dhe përkushtim.”
Ai shton gjithashtu se ndihet njeriu më me fat në botë, pasi ka gjetur tek Cindy shpirtin e tij binjak, shoqen më të mirë dhe dashurinë e jetës së tij.
“Me Cindyn pranë meje, ndihem njeriu më me fat në botë – sepse kam gjetur shpirtin tim binjak, shoqen time më të mirë dhe dashurinë e jetës sime. Faleminderit familjes, miqve dhe të gjithë atyre që janë pjesë e këtij momenti të paharrueshëm. Sot në Romë, nën qiellin e hapur, dashuria jonë merr formën më të bukur të saj: përjetësinë.”
Dita e 13 shtatorit 2025 mbetet kështu një datë historike për çiftin, që nisën një kapitull të ri të jetës së tyre me dashuri, emocion dhe bekimin më të madh shpirtëror.
