Babai i politikanit konservator Charlie Kirk të qëlluar për vdekje gjatë një tubimi në Utah të SHBA-së, u shemb e ra në gjunjë përpara një memoriali të përkohshëm të ngritur në nder të tij përpara zyrave të partisë së vet. Teksa shtrëngonte në duar fotografinë e të birit, Robert W.Kirk thirri me të madhe mes lotësh: “Më ktheni djalin tim…ai është vetëm 31 vjeç”.
Dëshmitarë të momentit prekës e ndanë atë në Facebook, duke treguar sesi thirrja e babait të dërrmuar jehoi fort, duke bërë që shumë nga pjesëtarët e publikut të mos mbanin dot lotët. “Në zërin e tij mund të ndieje dhimbjen e tmerrshme- ajo ishte zhurma e zemrës së një babai që plaste”, tha njëri prej tyre.
Një i ri nga Utah, i dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në një universitet në qytetin Orem, është arrestuar sot dhe është dërguar në paraburgim, pohoi guve-rnatori i Utahs, Spencer Cox.
"E kemi kapur", u shpreh Cox për gazetarët.
Vrasësi i Kirkut u kishte ikur policisë dhe agjentët federalë për më shumë se 33 orë pasi të mërkurën mbrëma e qëlloi me snajper Kirkun, aleatin e ngushtë të Trumpit, gjatë një paraqitjeje në Universitetin Valley në Utah.
I dyshuari, i identifikuar si Tyler Robinson, e kishte pranuar para një miku të familjes, ose “kishte nënkuptuar se e kishte kryer vrasjen”, dhe, personi në fjalë, më pas e kishte kontaktuar zyrën e sherifit të qarkut Uashington të enjten.
Një anëtar i familjes, i intervistuar nga hetuesit, tha se Robinsoni i ishte futur politikës kohët e fundit dhe fliste në mënyrë përçmuese për Kirkun, tha Cox.
Cox shtoi se dëshiron ta falënderojë familjen e Robinsonit, e cila “e ka bërë gjënë e duhur” duke e dorëzuar atë para autoriteteve të drejtësisë.



