Deputetja e së majtës finlandeze, Anna Kontula, ka shkaktuar bujë pas një interviste për “Helsingin Sanomat”, ku tregoi hapur se në adoleshencë kishte punuar si punonjëse seksi.
Kontula rrëfeu se në vitin 1993, vetëm 16-vjeçe, kishte publikuar një reklamë në gazetën lokale “Tamperelainen” duke kërkuar mbështetje financiare dhe aventura. Sipas saj, pati shumë përgjigje nga persona të interesuar, por zgjodhi vetë klientët që i dukeshin më të përshtatshëm. Ajo shtoi se nuk kishte përjetuar dhunë fizike apo kërcënime, megjithatë disa situata kishin qenë të pakëndshme dhe të neveritshme.
Ky rrëfim ka ndezur debat të gjerë publik, duke rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e punës në seks dhe stigmat që e shoqërojnë.
Përveç zbulesës së së kaluarës, Kontula njoftoi se nuk do të kandidojë më në zgjedhjet e ardhshme, pas katër mandateve në Parlament, ku u zgjodh për herë të parë në vitin 2011. Deputetja është njohur për qëndrimet e saj progresive dhe angazhimin në kauza sociale, veçanërisht për të drejtat e grave dhe debatin mbi legjitimitetin e punës në seks.
Kontula theksoi se ndarja e kësaj përvoje personale synon të nxjerrë në pah realitetin e vështirë të shumë individëve që gjenden në situata të ngjashme, duke shtuar se është e nevojshme më shumë dialog dhe reforma ligjore për këtë temë ende të ndjeshme në Finlandë.


