Regjisorja Ajlin Petrela ka thyer heshtjen duke ndarë publikisht arsyet që çuan në ndarjen nga ish-bashkëshorti i saj, aktori i humorit dhe aktualisht kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai.
Çifti, që janë prindër të dy vajzave, vendosi t’i japë fund martesës pas një vendimmarrjeje të përbashkët. Sipas Petrelës, qëllimi kryesor ishte mirëqenia e fëmijëve dhe shmangia e një ambienti familjar të mbushur me tension.
“E morëm bashkë këtë vendim, sepse nuk doja që vajzat tona të mbartnin trauma nga marrëdhënia jonë nëse do të vazhdonim të jetonim bashkë,” – u shpreh ajo.
Ajo theksoi se ndarja ishte një hap i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin dhe qetësinë në familje.
“Mbajmë marrëdhënie të qeta dhe me respekt përballë njëri-tjetrit, gjithmonë në të mirë të vajzave. Nuk do të flas kurrë keq për të, sepse është babai i tyre. Për mua ka rëndësi vetëm rritja e shëndetshme e dy vajzave tona. Më mirë të rriten të lumtura me dy shtëpi, sesa të stresuara në një,” shtoi regjisorja.
Sa i përket jetës së saj private pas divorcit, Petrela pranoi se është në një lidhje të re.
“Sapo jemi kthyer nga një udhëtim. Personi që kam në krah nuk është publik, nuk ka lidhje me median. Mundohemi ta mbajmë të izoluar, sepse gjërat e shtrenjta nuk dua t’i bëj pis. Bashkë na ka bërë një mjeke, që as nuk e di se na ka njohur. Kemi 9 muaj bashkë dhe gjithçka ka ardhur natyrshëm,” – rrëfeu ajo me humor.
Petrela shtoi se partneri i saj e ka pranuar pa hezitim faktin që ajo është nënë e dy vajzave, duke e parë lidhjen si një fillim të ri.
“Sfida është më e madhe kur ke dy fëmijë, por falë Zotit, gjërat kanë marrë drejtimin e duhur,” – përfundoi ajo.

