Duket se Kate Middleton ka ndryshuar shumë shpejt “kurs”: Pas “protestave” për ngjyrën e re bjonde të flokëve të Princeshës së Uellsit, dhe kritikave e spekulimeve mbi ndryshimin e pamjes së saj, erdhi ndryshimi. Pas muajsh trajtimi të vështirë për kancerin, disa shkuan deri aty sa të aludonin se ajo mbante paruke për të mbuluar efektet e kimioterapisë.
Kritikët insistuan se flokët bjonde nuk i shkojnë aspak gruas së Princit William. Stilisti personal i Lady Diana-s, Sam McKnight megjithatë doli në mbrojtje të saj, duke bërë një postim të gjatë në Instagram: "Jam i shokuar, i tmerruar dhe i indinjuar nga të gjitha komentet e këqija për Princeshën e Uellsit", shkroi ai. "Flokët e një gruaje janë një gjë shumë personale: janë armaturë, mbrojtje, siguri dhe shumë më tepër. Nuk mund ta besoj sa të egra dhe pa empati janë komentet, kryesisht, me sa duket, nga gratë, që sulmojnë një tjetër grua të re të cenueshme, e cila, thjesht për shkak të personit me të cilin u martua dhe rolit që mori përsipër, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me guxim me shqyrtimin publik." Më pas ai e përfundoi postimin e tij duke nxitur: "Lëreni të qetë dhe turp të ju vijë."
Në përvjetorin e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth, Princesha Catherine bëri një paraqitje surprizë përkrah bashkëshortit të saj, ndërsa ky i fundit vizitoi Institutin e Federatës Kombëtare të Grave në Sunningdale. Ajo kishte një ngjyrë flokësh më të ngjashme me pamjen e saj karakteristike, ngjyrën kafe të ngrohtë ikonike, duke ruajtur disa nuanca të lehta dhe të shkëlqyera. Versioni i saj i "bronde", diku midis brunes dhe bjondes. Një lojë nuancash që e riafirmon atë si një “ trendsetter” të pakrahasueshme.
Ngjyra e flokëve të Kate Middleton, sipas ekspertëve, duhet “kopjuar” për vjeshtën 2025. Teknikisht, ajo është një ngjyrë kafe më e çelët se moka e thellë që zakonisht preferohet nga gruaja e Princit Ëilliam. Kombinimi me bjonden krijon nuanca të shkëlqyera që nxjerrin në pah lëkurën dhe i japin një pamje elegante dhe të sofistikuar, në një stil mbretëror të përsosur. Shpresojmë, thonë ata, që të mos jetë vetëm një përgjigje ndaj heshtjes së kritikëve por që kjo pamje e re e flokëve të përcjellë një dëshirë të perceptuar për të përcjellë më shumë ngrohtësi, ëmbëlsi dhe afërsi.
