KreuCelebrity

Në “Canapé” me Shpend Lipën, surprizat që e presin shikuesin këtë sezon! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO

Programi i tij është kthyer në vendin ku shumë personalitete zgjedhin të rrëfehen me sinqeritet. Arsyeja: sepse “Canapé” është më shumë se një program konfident, sepse autori dhe moderatori Shpend Lipa ka zgjedhur të jetë më shumë një bashkëbisedues me të ftuarit, sesa një intervistues që kërkon sensacionin. Në nisje të sezonit të ri televiziv, Shpendi ka vendosur të flasë për “Bordo”, të zbulojë surprizat që e presin shikuesin, po ashtu ka biseduar me ne, më shumë rreth stilit të tij autentik, jo vetëm në pamje, por edhe përtej asaj që shohim nga ekrani. 

Shpend, a je gati për sezonin e ri televiziv, si po ndihesh? 

Po, jam më shumë se gati! Çdo sezon i ri është një emocion i veçantë, si të hapësh një kapitull të ri të një libri që e do. Ndihem i emocionuar, por edhe me përgjegjësi të madhe, sepse publiku pret shumë nga ne dhe unë dua t’u jap diçka edhe më të bukur dhe më të fortë se sezonin e kaluar. “Canapé” nuk është thjesht një program, është një përvojë, si për mua, ashtu edhe për shikuesit. 

Çfarë ka të re në “Canapé” sivjet? 

Këtë vit kemi vendosur ta çojmë “Canapé” në një nivel tjetër. Do të ketë më shumë diversitet në të ftuar, më shumë interaktivitet me publikun dhe rubrika të reja që besoj se do t’i surprizojnë këndshëm shikuesit. Nuk dua të zbuloj gjithçka që në fillim, sepse pjesë e magjisë është surpriza, por mund të them që publiku do ta ndjejë ndryshimin (fingers crossed). 

“Canapé” është kthyer në një program të dashur, cila është e veçanta? 

Sekreti është sinqeriteti. Në “Canapé” nuk ka intervista të ftohta dhe të kuruara për sy e faqe, por biseda të vërteta, njerëzore, ku të ftuarit hapen dhe tregojnë histori që ndoshta nuk i kanë ndarë askund tjetër. Publiku e ndien këtë energji dhe e bën të vetën. 

Cila është pjesa më e mirë dhe më e vështirë e të qenit autor dhe moderator? 

Pjesa më e bukur është liria për të krijuar diçka që flet me gjuhën tënde dhe të jep mundësinë të shprehësh vizionin personal. Pjesa më e vështirë është se kjo liri vjen me përgjegjësi të plotë, çdo detaj, çdo fjalë, çdo moment është në dorën tënde dhe duhet të jetë në nivelin më të lartë. 

 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Shpend Lipa (@shpnd)

A ke një intervistë që e kujton me krenari? 

Kam patur shumë intervista që më kanë mbetur në mendje, por krenaria ime është kur shoh një të ftuar që largohet nga studio duke thënë: “Kjo ishte një bisedë ndryshe”. Janë ato momente kur ndiej se kam arritur ta bëj dikë të ndihet i kuptuar dhe rehat. Një nga ato që e mbaj me krenari të veçantë është me ikonën e muzikës pop, Armend Rexhepagiqin. Ishte një rikthim i rrallë në një intervistë pas shumë vitesh mungesë në media, dhe ai zgjodhi pikërisht “Canapé”-n për t’u hapur. Në atë bisedë ai ndau jo vetëm kujtime të çmuara, por edhe deklarata të forta nga jeta e tij personale, të cilat patën ndikim të madh dhe ndezën një debat të gjerë publik, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Ishte një moment që më kujtoi fuqinë e televizionit për të sjellë jo vetëm argëtim, por edhe reflektim e diskutim shoqëror. 

Pse duket sikur askush nuk të refuzon për të ardhur në “Canapé”? 

(Qesh) Mendoj se arsyeja është respekti. Unë nuk ftoj askënd thjesht për të bërë audiencë, por sepse besoj se kanë diçka për të ndarë. Të ftuarit e ndiejnë kur ti vërtet i vlerëson dhe nuk i përdor, dhe kjo i bën ata të hapur. 

Cili është kushti më i çuditshëm që të ka vendosur një i ftuar? 

Nga drita që duhet të vinte vetëm nga një kënd i caktuar, te temperatura e studios që duhej të ishte fiks në një gradë të caktuar, kam dëgjuar nga më të ndryshmet. Por kjo është pjesë e lojës dhe e bukurisë së punës, mendoj, dhe i respektoj disa “teke” (qesh). 

Në “Canapé” me Shpend Lipën, surprizat që e

Nga fillimi deri tani, si do ta përshkruaje rrugëtimin tënd në televizion? 

Është një rrugëtim me shumë kthesa, emocione dhe mësime, që prej ditëve të para në KTV deri sot në T7 me “Canapé”. Kam nisur me ëndrra, por gjatë rrugës kam fituar edhe përvojë, durim dhe bindjen se suksesi realisht është një maratonë! 

Si do ta përshkruaje stilin tënd në ekran me 3 fjalë? 

Elegant, i ngrohtë dhe autentik, se po ndihem pakëz në siklet duke folur mirë për veten (qesh). 

A ke një kod të veçantë në pamjen tënde në ekran? 

Nuk kam rregulla të rrepta, por gjithmonë zgjedh diçka që më bën të ndihem mirë dhe i sigurt. Stili është një formë komunikimi pa fjalë dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për njerëzit e ekranit. 

Cili është aksesori yt identifikues? 

Ora. Për mua është më shumë se një aksesor, por edhe qaforet, i kam disa qafore që nuk i heq kurrë. 

Brand apo stil? 

Gjithmonë stil. Një veshje e thjeshtë, por me personalitet vlen më shumë se çdo emër i madh. Uroj shumë që edhe gjeneratat e reja ta kuptojnë sa më parë dhe të jenë autentikë! 

Me çfarë stili nuk do të shfaqeshe kurrë në ekran? 

Me një stil që nuk më përfaqëson. Nuk e ndjek modën vetëm për të qenë “in”, nëse nuk jam vetvetja brenda saj. 

A ka një dizajner me të cilin identifikohet stili yt? 

Preferoj ata që e kuptojnë se stili duhet të jetë personal dhe jo kopje e dikujt tjetër. Comme Des Garçons mbetet brendi im i preferuar. 

Kush vishen më mirë, prezantuesit e Shqipërisë apo Kosovës? 

Të dy palët kanë elegancën e tyre. Më pëlqen që secili vend ka ngjyrat dhe energjinë e vet, por po them ata të Kosovës, nuk e di pse, më duket më shumë ne i kemi sytë nga Amerika dhe më pëlqen kjo pjesë. 

Kujt i thua shpesh “Natën e mirë”? 

Nënës gjithmonë, ka edhe disa miq që janë bërë si familje. Janë ata njerëz që edhe në ditët më të lodhshme, të bëjnë të kesh energji të mirë para se të mbyllësh sytë. 

Me kë do të doje ta nisje ditën? 

Me njerëz që kanë energji pozitive dhe e shohin jetën me entuziazëm. Frymëzimi për mua nuk vjen vetëm nga figurat e njohura, por nga çdo njeri që ka një histori të bukur për të treguar. 

Cila është këshilla më e mirë që ke marrë për televizionin? 

“Trego gjithmonë të vërtetën tënde dhe mos harro se për kë po flet”. Kjo më ka mbajtur mendoj gjithmonë me këmbë në tokë. 

Ku e sheh veten pas 5 vitesh? 

Duke bërë ende televizion, por edhe duke krijuar projekte që shkojnë përtej ekranit. Dua të ndërtoj diçka që mbetet edhe përtej meje. 

Nëse do të takoje dikë, të gjallë ose të ndjerë, kush do të ishte? 

Oprah Winfrey. Jo vetëm si një ikonë televizive, por si një grua që ka ndërtuar një perandori mbi empatinë dhe historitë e vërteta. 

Çfarë duhet të ndryshojë në televizionin shqiptar e kosovar? 

Hmm! Më shumë përmbajtje cilësore dhe më pak sensacion. Më shumë respekt për publikun dhe inteligjencën e tij. Mbështetje për talentet e reja. Diversitet në temat dhe zërat që dëgjohen dhe investim në teknologji dhe produksion të nivelit ndërkombëtar.