KreuCelebrity

Marina Vjollca në një rrëfim ekskluziv për BORDO!

 

Përse e duan të gjithë Marinën?! Kjo është një pyetje retorike, që mund të vërë në pozitë koleget e saj prezantuese, dhe sekreti nuk është një zbulesë e rrallë e njerëzimit.

Sinqeriteti! E vetmja gjë, që ti nuk e manipulon dot, dhe të cilën publiku ta lexon aq lehtësisht; kur del në ekran, kur shfaqesh në jetën virtuale, apo edhe në rreshtat e kësaj interviste, e cila mbyllet me po këtë kureshtje timen. Sa e sinqertë është Marina në vërtetësinë e çdo fjale dhe copëze që ka ndarë nga jeta e saj në këtë intervistë? Dhe më besoni nuk ka rëndësi pohimi i pyetjes, energjia që ndjeva në takimin tonë gati një muaj më parë se të nisnim këtë projekt të kopertinës BORDO, vijoi të ishte e tillë gjatë provave të veshjeve, krijimit të ‘look-ut’, realizimit të fotove në Dhërmi, përzgjedhja mandej e imazheve më të bukura (për të cilat ende kam dilema, nëse zgjodhëm më të bukurat, sepse ky është nga ata sete, ku çdo shkrepje është një vepër arti!) e pastaj kjo bisedë që udhëtoi nga pikat e forta të karrierës së saj; si bashkëmoderatore e Top FEST (një nga Festivalet më të bukura, që janë realizuar në vend), tek eksperiencat, që nuk patën të njëjtin kulminacion, te të tjerat që e rritën dhe e bënë Marinën një nga imazhet dhe prezantueset më të suksesshme në vend. A nuk e demonstroi në mënyrën më perfekte këtë gjë në një transmetim maratonë të përditshëm, me dhjetëra të ftuar çdo natë, në spektaklin ‘hit’ “Kampionët” verës së shkuar në ekranin e Klan; me një humor fin, me batuta dhe përmbajtje, me një spontanitet dhe natyrshmëri të admirueshme!!!

Ndërkohë një tjetër Marinë kemi njohur vitet e fundit si sipërmarrëse. E suksesshme dhe aspak arrogante. Me qetësi dhe një normalitet u bë pjesë e botës së biznesit; si përfaqësuese në Shqipëri e markës “Elisabetta Franchi”, e prej nëntorit të kaluar krijuese dhe themeluese e brand-it të saj MINE, linjës kozmetike, me të cilën ëndërron të krijojë një komunitet grash të kënaqura, “jo thjesht të shes”.

Dhe pika që e plotëson më fort; padyshim familja. Duoja Marina Vjollca & Getoar Selimi nuk kanë bërtitur kurrë për pak famë më shumë. Fare qetë dhe në mënyrë natyrale ndërtuan jetën e tyre dhe vëmendjen e mirëpresin për atë çfarë ata ofrojnë në publik, e jo si një detyrim për fansat. Marget, e vogla e tyre, frymëzimi i Marinës dhe gjithçkaje që ajo bën sot, është bekimi i momentit. Ëndrra është për një familje të madhe; shembull familja e Marinës, me tri motra, ku sigurisht edhe për Luanën ka diçka në këtë rrëfim!

Për planet e reja? Lexojeni këtë rrëfim dhe do të zbuloni shumë më shumë…!

 

Marina, mirë se erdhe në BORDO! Sapo ke realizuar një set fotografik në Jugun e vendit, si shkoi?

"Seti në Jug shkoi më mirë seç mund ta mendoja. Energjia ishte mjaft pozitive dhe për mua është shumë e rëndësishme energjia dhe kimia kur punojmë bashkë; dhe ju bëtë një punë të mrekullueshme. Pastaj natyra, drita, e gjithë zona e jugut ka një energji të pakrahasueshme. Seti që realizuam atje nuk ishte vetëm estetik, por edhe emocional. Në një farë mënyre, mu duk sikur zbulova një version më të çliruar të vetes."

Pas kaq vitesh që të shohim nën petkun e markës “Elisabetta Franchi”, një tjetër stil dhe ‘look’. Të pëlqen të eksperimentosh?

"Patjetër. Unë besoj se stili nuk duhet të jetë statik, është një mënyrë për të komunikuar me botën dhe për të shprehur veten në faza të ndryshme të jetës. Stili duhet të evoluojë bashkë me njeriun që je duke u bërë. Eksperimentimi më ka ndihmuar të zbuloj më shumë për veten time dhe të di çfarë dua e çfarë jo."

Të krijosh një imazh të kuruar, është pjesë natyrale apo e imponuar nga puna?

"Në fillim ishte më shumë pjesë e profesionit, por me kalimin e kohës është bërë pjesë e natyrshme e përditshmërisë sime. Thjesht e kam integruar estetikën me mënyrën si ndihem dhe çfarë dua të përçoj. Imazhi është një shprehje e brendshme, jo thjesht një pamje sipërfaqësore."

Cili është stili yt më komod?

"Minimalizmi elegant. Më pëlqejnë veshjet që nuk flasin me zë të lartë, por që lënë mbresa. Një kostum i thjeshtë, një fustan me prerje të pastër dhe ngjyra neutrale janë gjithmonë ‘in’ për mua."

“MINE”, pas një viti në treg. Si ka ecur?

"Jam shumë mirënjohëse për mënyrën si është pritur. “MINE” lindi nga një nevojë personale për produkte që nuk i gjeja dot në treg, dhe fakti që ka gjetur jehonë te shumë gra, është suksesi më i madh për mua. Nuk e ndërtova për të qenë thjesht trendi i radhës, por për të qenë i dobishëm, funksional dhe i ndershëm."

Ke menduar të shtosh produkte të reja?

"Po, kemi plane konkrete për zgjerim. Disa prej tyre janë tashmë në fazën e testimeve. Dëshira është të ruajmë cilësinë dhe autenticitetin, pa bërë kompromis me identitetin e markës. Çdo produkt i ri duhet të ketë arsye ekzistence, jo vetëm komerciale, por edhe funksionale për gruan moderne."

Si e sheh të ardhmen e “MINE”?

"Si një brand që u flet grave reale, me produkte funksionale, të bukura dhe me shpirt. Dua të ndërtoj një komunitet rreth “MINE”, jo thjesht të shes. Dua të jetë një emër që u jep zgjidhje, jo vetëm pamje."

Po për “Elisabetta Franchi” në Shqipëri, plane për zgjerim?

"Po, patjetër. Jemi duke punuar në atë drejtim. Kemi krijuar një klientelë besnike, dhe plani është ta zgjerojmë prezencën e brandit."

Linja e fëmijëve – dëshirë si nënë apo zgjerim biznesi?

"Të dyja bashkë. Është reflektim i një përvoje personale që u bë kërkesë e re tregu. Kur u bëra nënë e ndjeva se kishte një boshllëk që mund të plotësohej. Marget më frymëzon çdo ditë dhe natyrshëm lindi kjo ide."

Marina, të kthehemi te prezantimi. Nuk është aspak e lehtë të jesh e pëlqyeshme, e admirueshme, të jesh gjithmonë ‘on the top’ si imazh televiziv dhe jo vetëm. A ke patur një strategji ti në këtë pikë? A ke një sekret për të qenë gjithmonë në vëmendje?

"Sekreti është të jesh koherente me veten, të mos imitosh askënd dhe të dish kur të tërhiqesh dhe kur të shfaqesh. Publiku e ndien sinqeritetin."

Kur kthen kokën pas, cili është suksesi yt më i madh në prezantim?

"Kur kthej kokën pas, suksesi im më i madh në prezantim është fakti që kam arritur të mbetem e pranishme dhe e dashur për publikun ndër vite."

Po pika më e ulët? Një program, që nuk ka funksionuar siç duhet?

"Ka patur eksperienca që nuk kanë rezultuar siç janë parashikuar, por më kanë mësuar më shumë se çdo sukses. Në këtë industri, nuk ka vetëm maja, ka edhe kthesa, dhe ato të bëjnë më të fortë."

Bashkëdrejtimi i TOP FEST ka qenë në memorien e të gjithëve një ngjarje dhe super sukses i yti, besoj. Si e ke jetuar atë moment në atë kohë dhe si e kujton sot?

"Ishte një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time. Adrenalinë, përgjegjësi, emocion, të gjitha të përziera. Sot e kujtoj me mall, kam qenë në një moshë goxha të re por mua më rriti si prezantuese dhe më dha shumë dashuri nga publiku."

Po momentin, kur nga bionde u ktheve në gështenjë në TOP FEST, si e sjell në mendje, si një shaka, apo moment që s’do të doje të ndodhtë më?

"Po, ishte një ngjyrë si kafe e çuditshme (qesh)! E kujtoj si një guxim, ndoshta pak impulsiv. Në atë kohë duhej diçka ndryshe. Besoj se s’do e përsëris më (qesh)!"

Të bashkëdrejtoje me motrën, Luanën, ishte një binom i fortë për kohën. Sot e rimendon një tjetër bashkëdrejtim me Luanën?

"Unë dhe Luana jemi si 2 gjysma që plotësojmë njëra-tjetrën kur jemi bashkë, kemi një kimi që nuk do e krahasoja me asgjë në botë. Kur je në skenë me dikë që e njeh dhe e do, dinamika është unike. Në atë kohë ishte e duhura dhe po, gjithmonë mbetet një mundësi e hapur kur të vijë momenti i duhur."

Keni ndjerë ndonjë moment ndonjë konkurrencë në skenë apo dhe jashtë saj?

"Kurrë! Kemi qenë dhe jemi motra para çdo gjëje tjetër. E kemi përkrahur njëra-tjetrën gjithmonë."

Ke një prezantuese ti që e ke model frymëzimi?

"Kam ndjekur shumë figura dhe më frymëzon gjithmonë një grua që është e zonja, e natyrshme dhe me klas. Nuk ka vetëm një emër."

Po prezantuesja shqiptare që e sheh gjithmonë me qejf?

"Ka disa, por më pëlqen kur shoh autenticitet dhe përkushtim. I vlerësoj shumë njerëzit që punojnë dhe gjithmonë reflektohet në çdo fushë të jetës."

Festivali në RTSH është një opsion? E dëshiron, e ëndërron atë skenë dhe atë dalje?

"Festivali në RTSH është padyshim një skenë me shumë histori dhe peshë. Kam patur një ftesë për Festivalin vite më parë, por në atë kohe ndjeva që nuk ishte momenti i duhur për mua. Isha ende shumë e re edhe pse ishte një nder i madh, mendoj që nuk kisha ende përvojën e nevojshme për të mbajtur një skenë me aq peshë. Sot, kur e shoh me më shumë maturi, më vjen mirë që nuk e kam bërë atë hap para kohe. Besoj se çdo gjë ka momentin e vet."

Programi, që të ka frymëzuar më shumë? Që të ka bërë të ndihesh vetvetja? Që do t’i riktheheshe sërish… kush është?

"Ka disa programe që më kanë frymëzuar dhe secili në mënyrën e vet ka nxjerrë në pah anë të ndryshme të personalitetit tim. Disa më spontane, disa më serioze. Kam bërë formate që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe kjo më ka ndihmuar të rritem profesionalisht. Por sa më shumë përvojë fiton, aq më mirë kupton se kush je dhe çfarë dëshiron të përcjellësh në ekran. Sot, zgjedhjet e mia lidhen shumë më tepër me të qenit vetvetja. Nuk bëj më për ekranin atë që nuk rezonon me mua."

Ku e sheh vetën në këtë sezon? Ke një plan konkret, apo je në pritje të ofertave?

"Kam disa projekte që po gatuhen ngadalë por sigurt, por s’dua të zbuloj ende asgjë."

Nga eksperienca jote si një vajzë që e ke njohur suksesin në prezantim beqare dhe tashmë si e martuar. Ke ndjerë ndonjëherë që statusi ndikon në profesionin tënd?

"Ka ndikuar pozitivisht. Më ka dhënë më shumë stabilitet emocional, më shumë qartësi në zgjedhjet që bëj. Por gjithmonë jam kujdesur të jem vetvetja, pa u përcaktuar vetëm nga statusi."

Të jetosh me një partner po aq të suksesshëm, një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës, siç është Getoar Selimi, të ka vënë edhe më shumë në qendër të vëmendjes. Ka patur momente, që nuk të ka pëlqyer kjo gjë, apo që mund të ketë ndikuar te ty?

"Ka momente që mund të jetë e lodhshme, por pas kaq shumë vitesh jemi mësuar tashmë. Plus gjithmonë, bashkimi bën fuqinë (qesh)!"

Ju si çift e menaxhoni shumë mirë privatësinë. Ka plot raste, që e kanë përdorur këtë vëmendje për më shumë përfitime, qoftë edhe biznesi. Pse kjo zgjedhje?

"Privatësia është e shenjtë për ne. Vëmendja mund të jetë shumë e bukur, por edhe e rrezikshme, nëse nuk e menaxhon me maturi."

Pak ditë më parë Geti dha një intervistë ku rrëfehu për momentin e tij të vështirë me shëndetin. Si ka qenë ai moment për ty? Si jeni përballur? Si e keni jetuar si çift?

"Ishtë një periudhë që na tronditi shumë. E përjetova në heshtje, por me forcë. Jemi kapur fort pas njëri-tjetrit dhe kjo na lidhi dhe më shumë."

Mëmësia e ridimensionon një grua, i hap një portë, të cilën as te vetja nuk e ka njohur, ty çfarë të ka mësuar?

"Mëmësia më ka treguar një version të vetes që nuk e njihja më parë. Është një ndjesi që nuk e përkufizon dot me fjalë. Prioritetet ndryshojnë rrënjësisht. Sot e kuptoj qartë pse jetoj, pse punoj, sepse gjithçka, në fund, është për të. Ka gjëra që dikur më shqetësonin shumë, më rëndonin por sot më duken të vogla. Në fund të çdo dite, në çdo situatë që mund të duket sfiduese, them me vete: “Nëse Marget është mirë, çdo gjë tjetër kalon”! Të jesh nënë është bekimi më i madh dhe forca më e pastër që një grua mund të njohë."

Marget, e shoh që e mban diskrete. Nuk do që ajo të ketë vëmendjen si vajza juaj, apo ke frikë nga syri i keq (qesh)?

"Sepse dua të rritet në një botë sa më të qetë, larg vëmendjes së panevojshme. Nuk është frikë nga syri i keq, por respekt për fëmijërinë e saj. Dhe fotot që bëra me të, ishin të rezervuara. Me zemër do të doja të publikoja gjithçka që ajo thotë dhe bën, se është fëmijë që ka shumë humor por është më mirë kështu, të paktën tani për tani."

 

Marina, a beson në Zot? Çfarë është Zoti për ty?

"Po, besoj shumë. Zoti për mua është dritë, forcë e brendshme dhe qetësi. Është ajo ndjenjë që më mban të fortë në momentet e pasigurta dhe më kujton të jem falënderuese në ditët e mira. Nuk flas shpesh për këtë, por besimi është shumë personal."

Nga se ke frikë?

"Nga humbjet. Nga momentet që nuk kontrollohen dot."

Cila është pika jote më e fortë e karakterit?

"Vendosmëria. Nuk dorëzohem lehtë. Ndonjëherë i shkoj dhe të pamundurës!"

Çfarë raporti ke me ushqimin?

"Më mirë seç duhet (qesh), është një nga kënaqësitë e jetës mendoj unë."

Po me kuzhinën?

"Aspak të mirë. Sigurisht që gatuaj, por nuk i bëj të mira (qesh). Përfitoj dhe nga fakti që Geti gatuan në shtëpinë tonë, është shef me Michelin star ⭐️!"

Bën stërvitje? Ke një rutinë ditore që e mban për të patur gjithmonë një fizik të mrekullueshëm, siç dhe e ke?

"Po, prej 4 muajsh kam nisur të ushtrohem rregullisht. S’e kam shumë qejf ta pranoj, por më parë nuk kam shkuar asnjë ditë në palestër ! Tani kam filluar të ndërtoj një rutinë që po përpiqem ta mbaj, pa e parë si presion, por si kujdes ndaj vetes. Me kalimin e viteve kupton që për të qenë mirë me të tjerët, duhet të jesh mirë me veten. Dhe kjo nis nga shëndeti fizik, mendor, emocional. Po e mësoj këtë përditë pak nga pak."

Po nënë sërish? Mendoni ta zgjeroni familjen? Cili është numri ideal për një familje për ty?

"Pse jo! E duam idenë e një familjeje më të madhe. Për mua, 3-4 fëmijë do të ishin idealë, sikurse jam unë me motrat e mia!

Çfarë do të bësh këtë verë?

"Shumë punë, shumë familje dhe më mbetet pak për pushime, por do t’i gjejmë disa ditë të shkëputemi."

Nga 1 në 10, sa e sinqertë ishe në këtë intervistë?

"10! Sepse çfarë pyetjesh nuk doja, i hoqa (qesh)!"