
Prej 16 vitesh, trupi i Stela Rustemajt pikturon mbi kanavacë botën e saj të brendshme. Kur truri hesht, ngjyrat formësojnë mbi telajo gjendjen emocionale të artistes, botën plot dritë dhe të errët njerëzore.
Trupi yt gjatë krijimtarisë bëhet peneli dhe ju jeni vepra?
Trupi është një mjet komunikimi po aq i fortë sa fjala. Në rastin tim, pikturon. Procesi i pikturimit me trup është akti më i sinqertë, pa kalkulime dhe pa paramendime, thjesht është një ndjesi, një gjendje emocionale, e cila lë gjurmë te unë si artiste dhe jo vetëm. Do të preferoja që trupin tim ta quaja si bashkëkrijuesin tim.
Cilat janë komentet më të shpeshta për mënyrën sesi krijon?
Trupi im është një mjet krijimtarie, jo një objekt gjykimi dhe kjo është për mua arritja më e madhe. Kam qenë pak skeptike në fillim sesi do të pritej nga audienca, por është pritur shumë mirë. Ajo që unë kam dashur përherë, është që njerëzit jo vetëm të shohin produktin final, por të shohin përmes veprave të mia, një shëmbëlltyrë të emocioneve të tyre më të thella. Ka njerëz që shohin artin dhe përjetojnë ndjesi të ndryshme, pavarësisht titullit që i kam vendosur. Më kanë pëlqyer interpretimet dhe kjo është gjëja më e mirë e këtij lloj arti, sepse nxjerr përmes artit tim, hyj në botën e tyre më të thellë të atyre që e pëlqejnë pikturën time.
Në cilin moment trupi juaj flet më shumë sesa mendimi?
Trupi im flet në momentin që mendja ime hesht. Kur zhytem në krijimtari, trupi im lëviz në mënyrë intuitive, duke përçuar një dialog të shpirtit me kanavacën. Pra, trupi bëhet mjeti i botës sime të brendshme duke dalë jashtë.

Çdo artist ka një temë që e përsërit shpesh, cila është ajo për ju?
Kam një tematikë, e cila është në kërkim të lirisë së brendshme. Çlirimi i qenies vjen në momentin që ne e pranojmë veten me dritën dhe errësirën tonë, pra, çdo vepër e imja ka brenda një copëz të asaj lirie të pastër.
A ka një vepër për të cilën je penduar që e ke shitur?
Jo sepse të gjitha veprat unë i kam nxjerrë për shitje. Vetëm njërën prej tyre nuk e kam nxjerrë në shitje dhe pavarësisht se kam patur oferta, ajo nuk shitet. Kam një lidhje shpirtërore dhe i përket një periudhe delikate të jetës sime, ka një pasqyrim të gjendjes sime të brendshme të asaj kohe, ndaj preferoj ta kem në jetën time. E kam në shtëpi, e shoh çdo ditë dhe çdo ditë më transmeton ndjesi të ndryshme.

Sapo sheh një vepër tuajën, ajo identifikohet me ju...
Të arrish të identifikohesh përmes veprës tënde në art është një arritje e madhe dhe për mua ka qenë një rrugëtim i gjatë. Kam 16 vite që pikturoj, por 5 vitet e fundit, pasionin e kam shndërruar në profesion. Të arrish në pikën që të shohësh një vepër arti dhe të kuptosh që është e Stelës, më bën të ndihem e bekuar.
A je kritikuar për faktin që je autodidakte?
Jo në fakt, sepse si çdo artist edhe unë kam audiencën time, janë njerëz që e gjejnë veten te pikturat e mia. Arti është shumë personal, gjithkush që vjen tek unë e pranon rritjen profesionale dhe mënyrën autodidakte.
A vlerësohet mjaftueshëm arti në Shqipëri?
Ndihem e bekuar, pasi ka klientë të cilët kanë ardhur për të disatën herë për të zgjedhur pikturat e mia, qoftë për vete, dhurata personale, ose për biznese.
Çfarë të ka mësuar arti, a je e njëjta Stela me atë kur nise të pikturoje?
Arti im është një rrugëtim si fizik dhe shpirtëror në ndryshim të vazhdueshëm. Ne kemi patur një rrugëtim të gjatë bashkë, jemi rritur të dy, si unë dhe arti im. Jam e sigurt që Stela e para 10 viteve do të ishte krenare me Stelën që jam sot, sepse janë ndryshime që i kemi bërë bashkë, fizikisht dhe shpirtërisht.

A ke një ritual të caktuar që bën para se të fillosh të punosh?
Zotëroj teknika të ndryshme, ndaj çdo pikturë ka ritualin e vet, por muzika më shoqëron gjithmonë kur krijoj.
Çfarë të frymëzon për të nisur një pikturë?
Më frymëzon qenia njerëzore me të gjitha ato dinamikat e veta, përditshmëria, kaosi dhe heshtja. Gjatë procesit të pikturimit të gjitha këto ndjesi janë një pikë kyçe për të krijuar.
-
Alket Islami: Vdekja? Njerëzit duhet të shkojnë të lumtur drejt saj!
13 Shtator, 12:49 -


