KreuCelebrity

Prej kohësh i diagnostikuar me demencë frontotemporale, Bruce Wills ndërron shtëpinë!

Prej kohësh i diagnostikuar me demencë frontotemporale, Bruce Wills
Aktori i njohur Bruce Willis, i cili është diagnostikuar me afazi në vitin 2022 dhe më pas me demencë frontotemporale, është zhvendosur në një shtëpi të përshtatur për nevojat e tij shëndetësore. Lajmin e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Emma Heming, në një intervistë prekëse për Sunday Times.

“Ishte një nga vendimet më të vështira që kam marrë ndonjëherë, por ishte i duhuri,  për të, për vajzat tona, për mua,” tha Heming. “Në fund, arrita të isha përsëri gruaja e tij, jo vetëm kujdestarja. Dhe kjo është një dhuratë.”

Aktori tani jeton në një ambient të sigurt dhe të kontrolluar, nën përkujdesjen e një ekipi specialistësh 24 orë në ditë. Sipas Heming, kjo zhvendosje i ka dhënë atij edhe një farë pavarësie, duke mundësuar që të kalojë kohë me miqtë çdo të premte në mbrëmje.

“Ka bërë një ndryshim të madh. Miqtë dhe familja mund ta vizitojnë pa qenë në shtëpinë time, pa presionin e mikpritjes dhe emocioneve të forta,” u shpreh ajo.

Dy vajzat e çiftit janë gjithashtu pjesë e këtij realiteti të ri, duke e vizituar të atin pas shkollës dhe duke kaluar kohë me të në mënyrë të natyrshme. “Ato janë përshtatur me sëmundjen e tij dhe dinë si të lëvizin rreth tij. Është e bukur, por edhe e vështirë për to. U mungon babai i tyre i dikurshëm,” tha Emma.

Në dokumentarin e fundit të ABC, “Emma dhe Bruce Willis: Udhëtimi i papritur”, ajo deklaroi se vendimi për zhvendosjen e Bruce-it është marrë me prioritetin që vajzat të jetojnë në një shtëpi të përshtatur për jetën e tyre, dhe jo të kufizohen nga nevojat e babait.

Emma, e cila së fundmi ka publikuar librin e saj “Udhëtimi i papritur: Gjetja e forcës, shpresës dhe vetes në rrugën e kujdesit”, rrëfen se e ka ndarë këtë vendim me vajzat me shumë kujdes dhe dashuri:

“Kemi arritur në një pikë ku kujdesi që i nevojitet po ndryshon. Tani, babi duhet të jetë në një shtëpi që është përshtatur sipas nevojave të tij. Ai do të donte që ju të kishit lirinë për të ftuar miq, për të qëndruar te shoqet tuaja dhe për të jetuar si çdo fëmijë tjetër.”

Pavarësisht sfidave, ajo thekson se marrëdhënia e tyre ka marrë një formë të re:
“Tani kemi gjuhën tonë, mënyrën tonë të të qenit bashkë.”