Ende vazhdon jehona e tragjedisë së rëndë që goditi familjen Dhimaku dhe fshatin Kopaçez të Delvinës. Mbrëmjen e 24 gushtit, dy vajza, Elvisa 22-vjeçe dhe Rozina 20-vjeçe, humbën jetën në një aksident rrugor, ndërsa udhëtonin drejt Sarandës.
Drejtuese e mjetit ishte Elvisa, kur makina e saj u përplas me një Audi të drejtuar nga 23-vjeçari Kevi Norra. Babai i tyre, Riza Dhimaku, përmes një letre për programin televiziv “Për shqiptarët”, tregon momentin kur mësoi lajmin për ndarjen e tyre nga jeta.
“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’… Kur më dhanë lajmin e aksidentit, vrapova nëpër natë dhe terren të vështirë. Isha në mal, rreth 3 orë larg. Pas dy minutash dëgjova fjalët që nuk do t’i harroj kurrë: ‘Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë’.”
Elvisa dhe Rozina punonin si shitëse ambulante në Sarandë, duke ndihmuar edhe në kurimin e vëllait të tyre 7-vjeçar, Islit, i cili lufton me leuçeminë.

