Gjiko, ka rrëfyer betejën që kaloi pas akuzave për abuzim seksual ndaj një të miture, për të cilat më pas u shpall i pafajshëm. Artisti e cilësoi këtë si momentin më të vështirë të jetës së tij, një periudhë që e përjetoi rëndë jo vetëm ai, por edhe familjarët. Gjiko tregoi per TCH se akuzat u bazuan në një deklaratë të një vajze gati 18-vjeçare, e cila kishte qenë një fanse e tij dhe kishte kërkuar me ngulm të kishte kontakt me të.
“Na u shemb bota mbi neve. U përhapën aludime se unë kisha fjetur me një vajzë pa dëshirën e saj, nën ndikimin e kanabisit. Akuza nuk erdhi nga ajo, por nga prokuroria. Ka qenë një vajzë pothuajse 18-vjeçare, për 1-2 muaj. Ajo ka qenë duke bashkëjetuar me dikë. Ajo e ka thënë këtë në një deklaratë në polici, por arsyeja pse ishte në polici, nuk kishte fare të bënte me mua”, tha Gjiko.
Më tej, reperi vijoi:
“Kjo vajza ka qenë një fanse shumë e zjarrtë që ka dashur të ketë kontakt me mua. Fati im ishte që i kisha (bisedat me të) ato që më kishte shkruar nëpër Facebook. Ka pasur shkrime, duke i thënë vajzës: “Të lutem, më lër të qetë. Nuk jam i interesuar të kem diçka me ty”, duke theksuar se kur gjykata i pa provat, vendosi që ta shpallte të pafajshëm ate dhe personat e tjerë të përfshirë në akuzë.
Gjiko shtoi se ky proces i ka shkaktuar dëme të mëdha emocionale dhe psikologjike:
“Stresi, ankthi, dëmet psiqike… por më e rënda ishte kur mendoja për gruan, fëmijët, babin, nënën. Çfarë mund t’u bëja atyre?”
Gjiko tha se akuzat u përhapën në një moment tejet të vështirë për familjen e tij, kur djali i tij Arlindi po luftonte me kancerin:
“Na u shemb bota mbi ne. Akuza erdhi nga prokuroria, jo nga vajza vetë. Ajo kishte dhënë një deklaratë në polici, por nuk kishte asnjë lidhje me mua.”
Në rrëfimin e tij, Gjiko foli edhe për marrëdhënien me bashkëshorten, Elitën, e cila – sipas tij – qëndroi gjithmonë pranë dhe tregoi forcë të jashtëzakonshme:
“E kemi diskutuar hapur. Më pyeti nëse ishte e vërtetë. Ajo ka qenë stoike, më ka mbështetur pa mëdyshje.”

