
Një grabitje e shpejtë dhe e mirëorganizuar ka tronditur botën e artit në Itali, pas vjedhjes së disa pikturave të rralla të autorëve të njohur Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse nga një muze pranë qytetit të Parma-s.
Sipas policisë, katër persona të maskuar hynë në ambientet e Fondacioni Magnani Rocca më 22 mars, duke marrë tre vepra me vlerë të lartë:
“Les Poissons” nga Renoir
“Natyrë e qetë me qershi” nga Cézanne
“Odalisque on the Terrace” nga Matisse
Mediat italiane raportojnë se grabitja zgjati vetëm tre minuta. Hajdutët hynë dhe dolën me shpejtësi, por u penguan nga sistemi i alarmit, i cili i ndaloi të merrnin edhe më shumë vepra nga koleksioni. Ata depërtuan me forcë nga dera kryesore e vilës-muze “Villa dei Capolavori”, e vendosur në zonën rurale pranë Parmës, dhe morën pikturat nga Dhoma Franceze në katin e parë. Më pas, u larguan duke kapërcyer një gardh.
Fondacioni njoftoi se grupi duket i organizuar dhe me një plan të qartë, duke lënë të kuptohet se grabitja mund të kishte qenë edhe më e madhe nëse alarmi nuk do të ishte aktivizuar. Vlera totale e veprave të vjedhura llogaritet në rreth 9 milionë euro, ku vetëm “Les Poissons” mendohet të vlejë 6 milionë euro, duke e bërë këtë një nga grabitjet më të mëdha të artit në Itali në vitet e fundit.
Autoritetet italiane, përfshirë Karabinierët dhe Njësinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Bolonjë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, e cila u bë publike të dielën.
Fondacioni Magnani Rocca u krijua në vitin 1984 pas vdekjes së koleksionistit dhe kompozitorit Luigi Magnani, dhe që atëherë është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme të artit në Itali.
