KreuBusull

Zakopane, “Laplandi” në zemrën e Evropës

- ”A ke qenë ndonjëherë në Zakopane? Njihet si ‘Laplandi’ i zemrës së Evropës”, - më tha një ditë dikush. - “Nuk ka mundësi”, - i thashë. - “Nuk ka të dytë në botë si Lapland”. - “Provo të shkosh e më thuaj më pas”, - tha përsëri ai djaloshi.

Më mbeti në mendje! Po bëja plane të shkoja në Zakopane, që realisht si pozicion është në cepin juglindor të Polonisë, shumë ngjitur me Sllovakinë, por gati 4 orë rrugë me shumë kthesa e dhimbje-koke nga Bratislava.
Gjithsesi, bëra-ç’bëra dhe e pashë veten në Zakopane!

Zakopane!

Kjo parajsa malore e Polonisë, shtrirë në këmbë të maleve Tatra. Një vend tipik malor, me pista skish, teleferik, lokale malore, shkolla skish për fillestarë apo dyqane pajime skish për qira. Për polakët, Zakopane është një destinacion shumë i preferuar pasi malet Tatras janë malet e vetme me karakter alpin në Poloni, me maja të thepisura dhe liqene akullnajore. Zakopane është qendra e lojërave dhe e sporteve dimërore. I kënaqshëm për të gjithë familjen: vendi ideal për fëmijët e vegjël, që nga argëtimet e akullit deri te “Luna Park”.

Ka disa gjëra të veçanta në Zakopane:
1- Në Parkun Kombëtar Tatra ndodhet Rysy (2 499 m) – maja më e lartë e Polonisë. Është një nga ngjitjet më ikonike për alpinistët. Fotot, muralet dhe skulpturat me alpinistë, duke ngjitur majat janë të zakonshme në gjithë qytetin.

2- Tatra National Park është shumë i strukturuar, nuk lejohet dalja jashtë shtigjeve të shënuara dhe ka kontroll serioz për ruajtjen e natyrës. Ka edhe arinj, rrëqebuj dhe dhi mali. Edhe dhitë duket të jenë simbol i qytetit.

3. Qendër arti dhe njerëz të “krisur”.

Prej një shekulli, Zakopane është kthyer në një “koloni artistësh”. Shkrimtarë, piktorë dhe intelektualë polakë vijnë këtu për frymëzim. Dhe mbeten aty… nga veprat e tyre.

4. Djathi tradicional “oscypek” është produkti më i famshëm. Ky djathë prodhohet vetëm në këtë rajon sipas metodës tradicionale me boronicë. Duhet provuar medoemos!

Zakopane, “Laplandi” në zemrën e Evropës

Zakopane, “Laplandi” në zemrën e Evropës



5. Liqeni “Morskie Oko” (syri i detit).

Liqeni Morskie Oko është liqeni më i njohur dhe më i fotografuar në Poloni. Shkohet me këmbë “hiking”, ku ka një shteg të asfaltuar rreth 8–9 km (vajtje) nga parkingu Palenica Białczańska. Ecja është e lehtë, por e gjatë. Rrugës ka edhe karroca tradicionale me kuaj për një pjesë të saj. Dhe plot dyqane të vogla që të rrëmbejnë vëmendjen për të blerë suvenire.
Emri i liqenit vjen nga një legjendë e vjetër, sipas së cilës ai ishte i lidhur nga nëntoka me detin. Në realitet është një liqen akullnajor, i formuar nga shkrirja e akullnajave mijëra vite më parë. Është aq i pastër e i kulluar sa në ditë të qarta duken majat e pemëve të pasqyruar në të, kurse në dimër ngrin i tëri, duke dhënë një pamje spektakolare. Nëse vendos që ta vizitosh, duhet gjetur një orar i përshtatshëm për të shmangur turmat.

Sepse për polakët Zakopane, liqeni Morskie Oko dhe malet Tatra nuk janë një destinacion turistik por një simbol kombëtar, një kult, një gjë që kalon përtej madhështisë.

Çfarë të vizitohet në Zakopane:

1- Krupówki Street.
Rruga kryesore dhe më e gjallë e qytetit. Është një rrugë mbushur plot dyqane tradicionale, restorante me kuzhinë malore, pastiçeri dhe muzikë live. Është zemra sociale e Zakopanes.

2. Vila Koliba, Muzeu i Stilit të Zakopane.
Shtëpia e parë në stilin arkitekturor “Zakopane”.
Shtëpitë janë prej druri dhe kjo i bën të veçanta e ia shton lezetin qytetit.

Zakopane, “Laplandi” në zemrën e Evropës


3. Arena “Wielka Krokiew”.
Arena e famshme e kërcimeve me ski. Edhe pa garë, mund të vizitohet dhe pamja nga aty është shumë e bukur.

4. Gubałówka Hill.
Ngjitja me funikular në pak minuta dhe aty ka një panoramë të plotë mbi Zakopanen dhe Tatrat.
Është ideale për të gjithë ata që dëshirojmë pamje spektakolare.

5. Tregjet tradicionale.
Në disa pika të qytetit shitet djathi oscypek, produkte artizanale çikërrima, suvenire dhe punime druri.

Zakopane, “Laplandi” në zemrën e Evropës


Tani që e kam parë Zakopanen, unë e di fare mirë pse e krahasojnë me Laplandin, ku në fakt gjeografikisht nuk janë farë të njëjta. Por kanë diçka që i bashkon. Dhe kjo është… kjo është…
Secili duhet ta zbulojë vetë këtë!
Zakopane mbetet një nga destinacionet më të bukura malore të Evropës.

Nga Zakopane,
Eda Bano,
shkurt 2026.

Tags:

zakaponte