KreuBusull

Alarmuese në Dubai: banorët po braktisin kafshët shtëpiake mes tensioneve në rajon

Alarmuese në Dubai: banorët po braktisin kafshët shtëpiake
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme duket se po ndikon edhe në jetën e përditshme në Dubai. Pas sulmeve me dronë të lidhura me Iran në rajon, shumë banorë thuhet se po largohen nga qyteti, ndërsa një fenomen shqetësues po prek gjithnjë e më shumë kafshët shtëpiake.

Strehimoret për kafshë, klinikat veterinare dhe grupet e vullnetarëve raportojnë për një rritje të madhe të kërkesave për ndihmë. Përveç përpjekjeve për të gjetur familje të reja adoptuese, shumë prej tyre përballen edhe me kërkesa për eutanazi.

Sipas raportimeve, disa pronarë kontaktojnë klinikat veterinare duke kërkuar që qentë apo macet e tyre të vriten, pasi nuk kanë mundësi t’i marrin me vete në largimet e menjëhershme nga qyteti. Në raste të tjera, kafshët thjesht braktisen në rrugë, lihen në pragjet e shtëpive të të panjohurve ose, edhe më keq, mbeten të mbyllura brenda banesave të braktisura pa asnjë mundësi për të mbijetuar.

Vullnetarët theksojnë se një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni lidhet me procedurat e ndërlikuara për të transportuar kafshët jashtë vendit. Rregulloret shëndetësore kërkojnë vaksinime dhe dokumente specifike, përfshirë certifikata veterinare që shpesh kërkojnë kohë për t’u përgatitur. Në situata largimesh të papritura, shumë pronarë vendosin të lënë pas jo vetëm shtëpitë dhe sendet personale, por edhe kafshët e tyre.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e kafshëve po bëjnë thirrje urgjente për adoptime dhe solidaritet, duke kërkuar që kafshët të mos braktisen. Shumë prej tyre janë të moshuara, të regjistruara dhe të pajisura me mikroçip, një tregues se deri pak kohë më parë jetonin në familje që u larguan papritur, duke i lënë pas si viktima të heshtura të krizës.