KreuBusull

"E dënova se nuk do i jepja lekë për bukë" 11-vjeçari i zhdukur në Tiranë gjendet në Portin e Durrësit, apeli i nënës!

"E dënova se nuk do i jepja lekë për bukë"

Një djalë 11-vjeçar, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga dita e djeshme në zonën e Freskut në Tiranë, është gjetur këtë të martë në Portin e Durrësit. Sipas njoftimeve, djali u pa për herë të fundit pranë shkollës “Androkli Kostallari” dhe nuk ka marrë pjesë në orët e mësimit.

Mamaja e tij kishte bërë denoncim në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, ndërsa fotoja e djalit iu dorëzua policisë për identifikim. Gjetja e tij u konfirmua nga vetë nëna, e cila u informua nga vëllai i saj se djali ishte parë në port.

Në një deklaratë për Euronews Albania, nëna e të miturit tregoi se një grua e kishte telefonuar duke i thënë se djali ishte në port. Kur vëllai i saj shkoi me policinë, ata e gjetën dhe djali shprehu dëshirën të shkonte në Kosovë, por gruaja që e pa e bindi të qëndronte ndonëse ai filloi duke qarë.

Nëna tha gjithashtu se një ditë më parë kishte ndëshkuar djalin për një gabim në shkollë, pasi ai kishte pirë cigare me një nxënës tjetër. Megjithatë, ajo nuk beson se kjo ishte arsyeja e largimit, pasi e ka ndëshkuar më parë dhe djali nuk kishte bërë veprime të tilla.

“Dua ta zbuloj se si fëmija im shkoi në Portin e Durrësit dhe do t’u lutesha çdo nëne të mos i lënë më fëmijët vetëm. Një ditë më parë i thashë se do ta dënoja, nuk do t’i jepja më lekë për bukë, sepse kishte bërë një gabim në shkollë. Por nuk besoj se është kjo arsyeja, sepse unë e kam dënuar edhe më parë dhe nuk mi ka bërë këto gjeste.

Para dy javësh, me një nxënës në shkollë, sepse është pak si mistrec, kanë pirë një cigare dhe kjo ishte arsyeja që unë e kam dënuar.

Më pas kam folur me djalin dhe më ka thënë se nuk do të bëjë më gabime. I thashë se do ta fusja në një skuadër futbolli dhe ai tha se nuk do të bënte më gabime. I kërkoi edhe ndjesë mësueses dhe drejtoreshës, por ai bëri prapë të njëjtin gabim dje. Ndoshta është shoqëruar me ndonjë tjetër, nuk e di.

Unë, si nënë, nuk do ta lejoj më asnjëherë në botë të ndodhë sërish, sepse qenka një dhimbje shumë e madhe. Ndjej edhe gëzim për gjetjen, por edhe dhimbje.

Mendoj se sot duhet t’u kushtojmë më shumë përkujdesje fëmijëve. Nuk e di, s’kam më shumë fjalë” tha nëna, duke shtuar se situata ka qenë një dhimbje e madhe për të, edhe pse ndihet e lehtësuar për gjetjen e djalit.

Ajo u bëri thirrje të gjitha nënave që të tregojnë më shumë kujdes ndaj fëmijëve të tyre dhe të jenë të vëmendshme për çdo lëvizje të tyre, duke theksuar rëndësinë e përkujdesjes dhe mbikëqyrjes.

Tags:

nena