
Një djalë i quajtur Hugo ka hyrë në histori si foshnja e parë në Mbretërinë e Bashkuar që lind nga një nënë e cila kishte kryer transplant të mitrës nga një donatore e ndjerë.
Nëna e tij, Grace Bell, ka lindur me sindromën e rrallë Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser (MRKH), një gjendje që nënkupton mungesën ose zhvillimin e pamjaftueshëm të mitrës. Që në adoleshencë, mjekët i kishin thënë se nuk do të mund të mbetej shtatzënë.
Në vitin 2024, Grace iu nënshtrua një transplanti të mitrës nga një grua që kishte ndërruar jetë. Pas disa muajsh, ajo nisi trajtimet e fertilitetit dhe arriti të mbetej shtatzënë. Djali i saj erdhi në jetë në Londër në fund të vitit të kaluar.
Grace e ka përshkruar lindjen e Hugos si një “mrekulli”, duke shprehur mirënjohje të thellë për familjen e donatores dhe vendimin e tyre për dhurimin e organeve, që i bëri të mundur realizimin e ëndrrës për t’u bërë nënë.
