Një alpinist austriak është shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia e rëndë, pasi e dashura e tij humbi jetën nga hipotermia gjatë një ngjitjeje dimërore në malin më të lartë të Austrisë, Grossglockner.
Gjykata në Austri dënoi burrin, të identifikuar vetëm si Thomas P, me 5 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 9,600 eurosh. Partnerja e tij, Kerstin G, vdiq gjatë një ekspedite në janar 2025, pasi mbeti e bllokuar në kushte ekstreme moti.
Sipas vendimit, gjykata mori parasysh si rrethana lehtësuese faktin që i pandehuri nuk kishte precedentë penalë dhe se kishte humbur një person të afërt. Po ashtu u përmend edhe presioni publik dhe diskutimet në rrjetet sociale kundër tij.
Gjyqtari Norbert Hofer, vetë alpinist me përvojë dhe bashkëpunëtor i ekipeve të shpëtimit malor, deklaroi se Thomas P ishte një alpinist i shkëlqyer, por se e dashura e tij ishte shumë më pak e përgatitur për ngjitje në kushte dimërore. Sipas tij, çifti duhej të ishte kthyer mbrapsht.
Prokuroria argumentoi se si alpinisti më me përvojë, mban përgjegjësinë kryesore për turin dhe se dështoi të kërkonte ndihmë në kohë. Në momentin e ngjarjes, temperaturat arritën rreth −8°C, ndërsa temperatura e perceptuar nga era zbriti në −20°C, me erëra deri në 74 km/h.
Dëshmitë treguan se helikopteri i policisë i pa të dy duke u ngjitur rreth orës 22:30, por nuk u dha asnjë sinjal emergjence. Më vonë, kur gjendja e Kerstin u përkeqësua pranë majës, ajo dyshohet se i kërkoi partnerit të shkonte për ndihmë.

Ai telefonoi policinë malore rreth orës 00:35, por përmbajtja e telefonatës mbetet e diskutueshme. Prokurorët pretendojnë se ai e la atë rreth orës 02:00 dhe vazhdoi ngjitjen drejt majës, përpara se të zbriste nga ana tjetër.
Trupi i viktimës u gjet i varur përmbys në një faqe shkëmbore. Sipas shpëtimtarëve, nëse era do të kishte qenë më e fortë, ajo mund të kishte rënë në humnerë.
Mbrojtja deklaroi se Kerstin nuk ishte e papërvojë dhe se çifti e kishte planifikuar së bashku ngjitjen. Vetë Thomas P u deklarua i pafajshëm, duke thënë se e donte partneren e tij dhe se situata u përkeqësua papritur.
Rasti ka nxitur debat të gjerë në komunitetin e alpinizmit për kufirin midis rrezikut personal dhe përgjegjësisë penale në male. Vendimi mund të apelohet.
Burimi: BBC NEWS
Kle - Bordo
