KreuBusull

Ç'mendon ChatGPT për mua?!

Ç'mendon ChatGPT për mua?!

Nga Doreada Mio!

Nëse ditët e fundit keni parë portrete e fytyra të njohura të transformuara në versionin “Animation” apo e thënë ndryshe si personazhe të një filmi vizatimor nuk është se keni halucinacione, është trendi i ri i ChatGPT. Duhet vetëm një foto dhe inteligjenca artificiale të kthen në një  personazh filmi vizatimor, të bukur,  rrëzëllitës. Një version i vetes që duket sikur nuk ka kaluar kurrë nga jeta reale. Ironia? Ne që flasim për origjinalitet dhe unikalitet jemi në garë të postojmë foto që janë shumë larg realitetit  

Edhe vitin që kaloi një trend i ngjashëm “i infektoi” pothuajse te gjithë, të shihnin veten e tyre si personazh të një filmi japonez.  Por ajo çka më tërhoqi vemendjen këtë herë ishte pyetja qe e shoqeron foton: Si më sheh ChatGPT? Çfarë mendon për mua? 

Në komandën që jepej përdorej fjala karikaturë, por nuk më pëlqeu ta përkthej ashtu. E rritur me karikaturat që shihja në revistën e dikurshme “Hosteni” e di që karikatura ka një nuancë ekzagjerimi. Ajo merr një tipar dhe e zmadhon me ironi. Ndërsa ajo që vura re tek fotot e postuara në rrjetet sociale ishte pak më ndryshe, nuk kishte humor, kishte stilizim, ishte si  një përpjekje për të krijuar një personazh. Dhe ndoshta kjo është më domethënëse sesa duket.

Ne kemi nevojë të dimë çmendojnë të tjerët për ne. Duam të jemi të parë. Identiteti yne krijohet përmes pasqyrimit. Fillimisht përmes syve të prindëve, motrave vëllezërve, të afëmve, më pas shokëve, partnerëve, shoqërisë e  publikut. Sot për herë të parë po kërkojmë edhe mendimin e teknologjise. Çfarë mendon IA për mua...Dhe kur këtë pyetje ja bëjmë inteligjencës artificiale jemi me të qetë, më të mbrojtur, ajo nuk na gjykon, ajo nuk është xheloze, ajo nuk ka një të kaluar me ne….. 

Por paradoksi është ky: në të vërtete IA nuk mendon, nuk ndien, ajo përpunon, ajo organizon informacionin që i japin ne. Pra ne mbase nuk po kërkojmë mendimin e një makine , ne po kërkojmë konfirmim.

Edhe une e provova dhe rezultati ishte i bukur, shumë i bukur,  por jo krejtesisht unë. 

Si përfundim: Nuk kam asgjë kunder trendit si një lojë vetëm kam frikë momentin kur fillojmë të na pëlqejë më shumë versioni Chatgpt sesa ai që shohim c do mengjes në pasqyrë.

Tags:

chat gpt