KreuBusull

Mësuesi përfundon në pranga pas dhunës ndaj nxënësit, kolegët e tij në protestë

Mësuesi përfundon në pranga pas dhunës ndaj
Procesi mësimor në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia” nuk është zhvilluar gjatë dy orëve të para të ditës së sotme, 10 shkurt, si pasojë e një proteste të organizuar nga stafi mësimor. Vendimi është marrë nga Shoqata Sindikale e shkollës, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues dhe Këshillin e Prindërve.

Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar në Facebook, protesta ka për qëllim të shprehë shqetësimin e mësuesve lidhur me, siç thuhet, përkeqësimin e sjelljes së disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor. Sindikata thekson se mësuesit po përballen gjithnjë e më shpesh me dhunë fizike, fyerje, ofendime dhe gjuhë denigruese, duke vënë në rrezik dinjitetin dhe sigurinë e tyre në vendin e punës.

Organizatorët kanë bërë të ditur se pas përfundimit të protestës, mësimi do të vazhdojë normalisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Sipas SBASHK-së, krijimi i një ambienti të sigurt dhe respektues për mësuesit është i domosdoshëm, pasi pa siguri dhe respekt nuk mund të ketë arsim cilësor.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar se mësuesi i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një nxënësi në këtë shkollë është ndaluar për 48 orë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur të hënën, ndërsa Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë të ditur se rasti është në trajtim dhe hetimet janë ende në zhvillim.