KreuBusull

Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës, një arritje historike për mjekësinë moderne

Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës, një arritje
Mjekësia spanjolle ka shënuar një moment historik me realizimin e transplantit të parë të fytyrës në vend, një ndërhyrje tepër komplekse që hap një kapitull të ri në kirurgjinë rindërtuese. Operacioni u krye falë indeve të dhuruara nga një grua që kishte zgjedhur eutanazinë, praktikë e legalizuar në Spanjë që prej vitit 2021.

Ndërhyrja u zhvillua në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe u konsiderua një hap i rëndësishëm për avancimin e transplantologjisë. Indet e dhuruara iu transplantuan një pacienteje që vuante nga dëmtime të rënda në fytyrë, të shkaktuara nga një infeksion serioz, i cili kishte komprometuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe komunikimi verbal.

Operacioni u realizua nga një ekip multidisiplinar prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe bëri të mundur rindërtimin e pjesshëm të fytyrës, duke hapur rrugën për rikuperimin gradual të funksioneve bazë të pacientes.

Donatorja kishte shprehur paraprakisht vullnetin për dhurimin e organeve dhe indeve pas procedurës së eutanazisë, çka i lejoi ekipet mjekësore të planifikonin me saktësi çdo fazë të ndërhyrjes, përfshirë përputhjen biologjike dhe përgatitjen e indeve.

Operacioni u drejtua nga Dr. Joan Pere Barret, drejtues i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron, i cili theksoi se transplantet e fytyrës përfshijnë transferimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe një trajtim të vazhdueshëm me medikamente imunosupresive për të shmangur refuzimin nga organizmi.