
Rrjeti social TikTok rihapet zyrtarisht sot në Shqipëri, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 4 shkurt. Me këtë vendim, aplikacioni do të jetë sërish i aksesueshëm në të gjithë territorin e vendit.
Sipas vendimit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me institucionet rregullatore përkatëse, do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për heqjen e masave që kishin bllokuar aksesin në këtë platformë.TikTok ishte i mbyllur në Shqipëri që prej 13 marsit të vitit të kaluar, pas një vendimi të qeverisë për pezullimin e tij për një periudhë njëvjeçare. Ky vendim u mor pas një konsultimi me prindërit dhe u nxit nga ngjarja tragjike e vrasjes së një 14-vjeçari në shkollën “Fan Noli”.
Gjatë periudhës së pezullimit, qeveria shqiptare zhvilloi komunikime të vazhdueshme me drejtuesit e TikTok, me qëllim vendosjen e filtrave dhe mekanizmave mbrojtës për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve me dhunë dhe gjuhë urrejtjeje në platformë.
