
Klubi i Futbollit Luftëtari i Gjirokastrës nuk ekziston më as zyrtarisht në dokumente. Pas vitesh pa aktivitet dhe pasojave të rënda që solli dënimi nga FIFA, një histori afro një shekullore është mbyllur përfundimisht në letër, duke i dhënë fund një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar.
Në mbledhjen e fundit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Gjirokastër (26 janar 2026), me 9 vota pro, 0 kundër dhe po aq abstenime, u votua përjashtimi zyrtar i KF Luftëtarit nga kjo Shoqatë.
"Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Gjirokastër, me 9 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime, vendosi të përjashtojë Klubin e Futbollit Luftëtari SH.A nga anëtarësia për arsye të mbylljes së aktivitetit", bëhet me dije në vendimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të SHRF Gjirokastër.
Prej vitit 2021, pas dënimit nga FIFA për shkak të borxheve ndaj ish-zyrtarëve, KF Luftëtari nuk mori pjesë në aktivitet. Në këtë kontekst, Bashkia e Gjirokastrës, si pronare e klubit, vendosi shpërbërjen formale të KF Luftëtarit dhe krijimin e një subjekti të ri sportiv, Akademia e Futbollit Luftëtari (AF Luftëtari).
E themeluar në vitin 1926 me emrin “Shqiponja”, skuadra gjirokastrite mori formën e një klubi të konsoliduar në fund të viteve ’20, për t’u shndërruar ndër vite në një vatër talentesh. Nga radhët e saj kanë dalë emra të njohur të futbollit shqiptar, si Theodhori Kalluci, Sefedin Braho, Lefter Millo, Arjan Xhumba, Arjan Bellaj, Altin Haxhi, Astrit Boni, Gjergji Kalluci e shumë të tjerë.
-
Vranësira dhe reshje shiu gjatë ditës së sotme, borë në zonat...
28 Janar, 10:17 -


