Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle në Francë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Liridon Berishën, 27 vjeç, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, Stephanie Di Vincenzo.
Ngjarja tragjike ndodhi në maj të vitit 2021, kur Stephanie, vetëm 22 vjeçe, u sulmua me thikë në rrugë, duke tentuar të kërkonte ndihmë pranë komisariatit të Hayange, që ndodhej vetëm pak metra larg shtëpisë së saj.
Sipas prokurorit të përgjithshëm Nicolas Burkel, akti i Berishës ishte “jashtë çdo normale për nga dhuna”, duke theksuar se sulmuesi nuk u ndal as përballë dëshmitarëve dhe as përballë viktimës.
Më tej, Burkel shtoi se ai e goditi Stephanie për ta dobësuar dhe më pas vazhdoi sulmin me goditje poshtëruese mbi trupin e saj. Tragjikisht, ngjarja ndodhi para syve të fëmijës 4-vjeçar të çiftit, ndërsa fqinjët dëshmuan shfaqjen e dhunës ekstreme.
Berisha kishte një histori shkeljesh të rregullave të trafikut dhe ishte dënuar me një vit burg për këto shkelje, por përfitonte nga arresti shtëpiak me një byrzylyk elektronik disa ditë para krimit të rëndë.
