Amerika është goditur nga stuhia më e madhe e të ftohtit, përgjatë këtij dimri, duke nxitur paralajmërime të forta mbi qytetarët.
Të paktën 11 persona kanë vdekur, ndërsa parashikohet që i ftohti brutal do të vazhdojë gjatë gjithë javës, me gati 90 milionë njerëz që janë paralajmëruar nga autoritetet, duke ngjallur frikë tek ata që janë pa strehë ose energji elektrike për ditë të tëra.
Më shumë se 800,000 njerëz janë ende pa energji elektrike pasi i ftohte ekstrem i nxori ato jashtë funksionit.
E diela ishte dita më e keqe për anulimet e fluturimeve që nga pandemia. Mbi 17,000 fluturime janë anuluar gjithsej gjatë kësaj stuhie. Shkollat në qytetet kryesore kanë anuluar mësimet ose kanë kaluar në mësim në distancë për të hënën.
Një numër marramendës prej 15 shtetesh kanë parë borë të grumbulluar deri në 30 cm ose më shumë .
Bora e madhe, breshëri dhe “shiu i ngrirë”, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë - më shumë se gjysmën e popullsisë.
"Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje", ka thënë Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit, për CBS News.
Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi të dielën se dy burra kishin vdekur nga hipotermia. Edhe kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje "të lidhur me ekspozimin".


