Përparimi i teknologjisë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si komunikojmë dhe shkruajmë, duke e lënë gjithnjë e më shumë lapsin dhe letrën në hije përballë tastierës. Sot, shumë nxënës e studentë e kanë të vështirë të kujtojnë apo përdorin shkrimin e dorës të mësuar në vitet e para të shkollës.

Përveç humbjes së përdorimit, shkrimi i dorës ka pësuar edhe transformim. Sipas mësuesve, forma që përdoret sot në shkolla dhe në jetën e përditshme është një kombinim mes shkronjave të dorës dhe atyre të shtypit, një lloj shkrimi hibrid. Kjo ndodh si pasojë e ndikimit të teknologjisë, por edhe e ritmit të shpejtë dhe ngarkesës së madhe shkollore, që i shtyn nxënësit të zgjedhin mënyra më praktike për të shkruar.
Duke qenë se rrezikon të zhduket gradualisht, UNESCO ka propozuar që shkrimi i dorës të mbrohet si pasuri jomateriale e njerëzimit. Gjuhëtari Shezai Rrokaj e vlerëson këtë nismë si të domosdoshme, duke theksuar se shkrimi me dorë ndihmon në thellimin e mendimit dhe në përpunimin më të plotë të gjuhës, ndryshe nga shkrimi i shpejtë digjital.
Ndërkohë që zhvillimet teknologjike janë të pandalshme dhe arsimi po integron gjithnjë e më shumë mjetet digjitale, ekspertët theksojnë nevojën për të gjetur forma alternative për ruajtjen e shkrimit të shqipes. Sipas tyre, koha nuk mund të kthehet pas, por vlerat e kaligrafisë dhe alfabetit mund të ruhen përmes muzeve digjitale dhe simulimeve, duke e trajtuar shkrimin edhe si një element estetik e kulturor.
Shkrimi i dorës mbetet një pjesë thelbësore e trashëgimisë kulturore dhe një mjet i rëndësishëm i transmetimit të dijes nga brezi në brez, ndaj sipas UNESCO-s, ruajtja e tij është jetike për identitetin njerëzor.
