KreuBusull

Diella përfaqëson Shqipërinë në Samitin e Qeverive Botërore me çmim prestigjioz!

Diella përfaqëson Shqipërinë në Samitin e Qeverive
Ministrja virtuale e Prokurimeve Publike të Shqipërisë, Diella, ka marrë një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar gjatë Samitit të Qeverive Botërore, i zhvilluar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo është shpërblyer me çmimin “Future Fit Seal”, i cili u jepet projekteve që sjellin qasje të reja dhe vizionare në administrimin publik.

Ky çmim nënvizon rolin e inovacionit dhe teknologjisë në ndërtimin e modeleve moderne të qeverisjes, duke vlerësuar iniciativa që synojnë të përgatisin institucionet shtetërore për sfidat e së ardhmes.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Shqipëria u përfaqësua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila e cilësoi këtë arritje si një hap domethënës drejt konsolidimit të transformimit digjital të qeverisjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Sipas saj, njohja e Diellës në një platformë globale tregon angazhimin e Shqipërisë për të përqafuar teknologjitë e avancuara dhe për t’i vënë ato në funksion të transparencës, efikasitetit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Gjatë aktivitetit, përmes ekranit, u shfaq edhe vetë ministrja virtuale, e cila shprehu mirënjohjen për vlerësimin e marrë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit global në ndërtimin e së ardhmes së qeverisjes.