
Një ndër burgjet më të frikshme të Australisë është shndërruar sot në një hotel butik me pesë yje. Interlude, i vendosur në Melburn, funksionon brenda ish-Divizionit B të burgut historik HM Pentridge një kompleks i shekullit XIX që për dekada ka qenë simbol i izolimit dhe ndëshkimit.
Pentridge ka mbajtur brenda mureve të tij disa nga figurat më të njohura të botës së krimit australian, përfshirë Ronald Joseph Ryan personi i fundit i ekzekutuar me varje në Australi si dhe Mark “Chopper” Read, emër i njohur i krimit që më vonë u bë autor librash. Sot, ambientet ku dikur ndodheshin qelitë janë kthyer në 19 suita ekskluzive, me tarifa që nisin nga 449 dollarë australianë nata.

Arkitektët kanë bashkuar katër deri në pesë qeli për të krijuar hapësira të bollshme, duke çarë muret e trasha prej guri blu, por duke ruajtur elementët autentikë si tavanet e harkuara dhe strukturën origjinale. Brendësia kombinon trashëgiminë historike me komoditete moderne, duke ofruar një përvojë unike akomodimi.
Në zemër të hotelit ndodhet një pishinë nëntokësore luksoze, ndërtimi i së cilës kërkoi tre muaj punë të kujdesshme për të mos dëmtuar strukturën e vjetër. Interlude ofron gjithashtu një bar vere, restorant, shërbim në dhomë, minibar me produkte vendase dhe artikuj të kujdesit personal nga marka australiane Hunter Lab. Vizitorët mund të shëtisin edhe në “Kopshtin e Reflektimit”, një hapësirë që tregon historinë dhe trashëgiminë kulturore të zonës.

Burgut Pentridge funksionoi nga viti 1851 deri në 1997 dhe njihej edhe si “Bluestone College” ose “Coburg College”. Pas mbylljes, prona iu shit zhvilluesve privatë në vitin 1999. Me hapjen në vitin 2023, Interlude u prezantua si qendra e parë urbane e mirëqenies në botë e ndërtuar brenda një burgu të konvertuar.
Drejtuesit e projektit kanë theksuar gjithashtu rëndësinë kulturore të territorit, i cili konsiderohet tokë e shenjtë për popullin indigjen Wurundjeri, kujdestarët tradicionalë të zonës së Melburnit. Përpara inaugurimit, u mbajt një ceremoni pastrimi sipas traditës vendase.

Shndërrimi i Pentridge nga një simbol i frikës në një destinacion luksi përfaqëson një nga rikualifikimet urbane më të veçanta në Australi, ku historia e errët ndërthuret me konceptin modern të turizmit dhe mirëqenies.
