
Sot shënohet Viti i Ri Kinez, një nga festat më të vjetra dhe më të rëndësishme në kulturën kineze, që sinjalizon fillimin e Vitit të Kalit. Kjo festë mijëravjeçare lidhet me nderimin e hyjnive dhe paraardhësve, si edhe me mirëpritjen e pranverës dhe një cikli të ri energjie.
Sipas traditës, festimet burojnë nga legjenda e përbindëshit Nian, i cili trembej nga zhurmat e forta dhe nga ngjyra e kuqe. Për këtë arsye, fishekzjarret, daullet dhe dekorimet me fenerë të kuq mbeten edhe sot elementë qendrorë të kremtimeve.
Viti 2026, që nis më 17 shkurt 2026 dhe përfundon më 5 shkurt 2027, i dedikohet Kalit — një nga 12 shenjat e zodiakut kinez, cikël që përsëritet çdo 12 vjet.
Në kulturën kineze, Kali simbolizon energjinë, lirinë dhe dinamizmin. Personat e lindur në vitin e Kalit konsiderohen zakonisht të gjallë, të pavarur dhe aventurierë, me një shpirt të fortë iniciative.
Zodiaku kinez, i njohur si “shengxiao” (që do të thotë “i lindur i ngjashëm”), përbëhet nga 12 kafshë që ndjekin këtë renditje: Miu, Demi, Tigri, Lepuri, Dragoi, Gjarpri, Kali, Dhia, Majmuni, Gjeli, Qeni dhe Derri. Shenja përcaktohet nga viti i lindjes dhe besohet se ndikon në tiparet e personalitetit, fatin dhe përputhshmërinë në dashuri.
Sipas traditës:
Miu konsiderohet i zgjuar dhe i shkathët.
Demi njihet për qëndrueshmëri dhe vendosmëri.
Tigri simbolizon guximin dhe vetëbesimin.
Lepuri përfaqëson qetësinë dhe elegancën.
Dragoi lidhet me forcën dhe entuziazmin.
Gjarpri me mençurinë dhe intuitën.
Kali me energjinë dhe dinamizmin.
Dhia me butësinë dhe dhembshurinë.
Majmuni me zgjuarsinë dhe kuriozitetin.
Gjeli me disiplinën dhe guximin.
Qeni me besnikërinë dhe ndershmërinë.
Derri me bujarinë dhe shpirtin e mirë.
Viti i Ri Kinez nuk është vetëm një festë kalendarike, por një moment reflektimi, shprese dhe fillimesh të reja — një kapitull i ri që, këtë herë, vjen me energjinë e Kalit.
