
Pas një qëndrimi prej 12 vitesh në Siri, Eva Dumani vajza e fundit shqiptare që ndodhej ende në kampin famëkeq Al Hol është rikthyer në Tiranë, ku është ribashkuar me nënën dhe vëllain e saj.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se operacioni për riatdhesimin e shtetases E.D. u realizua me sukses falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Turqi.
Eva ishte vetëm 9 vjeçe kur mbërriti në Siri së bashku me vëllain e saj, Endri Dumani, dhe të atin, Shkëlzen Dumani, i cili sipas informacioneve humbi jetën gjatë luftimeve në zonë.
Në vitet që pasuan, familja u përball me humbje të tjera tragjike: gjyshja e Evës ndërroi jetë gjatë përpjekjeve për ta nxjerrë nga kampi Al Hol, ku strehohen kryesisht gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e organizatës terroriste ISIS.
Eva mbeti e vetme në kamp pasi në tetor 2020 vëllai i saj Endri u riatdhesua në Shqipëri gjatë një operacioni të realizuar nga Njësia Antiterror në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Sot, në moshën 21-vjeçare, Eva Dumani është shqiptarja e fundit që rikthehet nga kampet e xhihadistëve, ku ishte dërguar si fëmijë. Rikthimi i saj shënon mbylljen e një kapitulli të gjatë dhe të dhimbshëm për familjen dhe institucionet shqiptare.
