
Një situatë e pazakontë është raportuar në Fshatin Olimpik të Lojërave Olimpike Dimërore në Itali, ku furnizimi falas me prezervativë për atletët thuhet se është shteruar vetëm tre ditë pas nisjes së shpërndarjes, duke nxitur diskutime mes pjesëmarrësve.
Sipas së përditshmes italiane La Stampa, më pak se 10 mijë prezervativë ishin vënë në dispozicion për rreth 2 871 sportistë që po marrin pjesë në garat dimërore. Një atlet, që foli në kushte anonimiteti, deklaroi se rezervat u konsumuan shumë shpejt, ndërsa organizatorët kanë premtuar se furnizimi do të plotësohet sërish në ditët në vijim.
Situata krijon kontrast me Lojërat Olimpike Paris 2024, ku organizatorët shpërndanë rreth 300 mijë prezervativë për më shumë se 10 500 atletë. Këto shifra u konfirmuan për Sky News nga drejtori i fshatit të atletëve gjatë Lojërave Verore në Francë.
