KreuBusull

Gjyqi në Hagë: Ish-krerët e UÇK-së mbrojnë luftën për liri dhe kërkojnë pafajësi

Gjyqi në Hagë: Ish-krerët e UÇK-së mbrojnë
Që prej nëntorit 2020, katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nisja e procesit gjyqësor në prill 2023, ata kanë dëshmuar disa herë në mbrojtje të tyre, duke theksuar pafajësinë dhe karakterin çlirimtar të luftës.

Në deklarimet e tyre u theksua lufta për liri, pavarësia e Kosovës dhe krimet e kryera nga regjimi serb gjatë viteve të konfliktit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se edhe po të kthehej pas në kohë do të vepronte njësoj për popullin e tij, i cili sipas tij kishte vuajtur për vite nën represionin e Slobodan Millosheviçit.

Thaçi e cilësoi ofenduese pretendimin e prokurorisë se qëllimi i tij ishte marrja e kontrollit politik të Kosovës.

“Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, sidomos kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë nga një orë në tjetrën. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja më familjen time, e jo më të ëndërroja kontroll mbi një vend të pushtuar për rreth 90 vite,” u shpreh ai.

Ai shtoi se destabiliteti në rajon ishte pasojë e politikave të Slobodan Millosheviçit dhe se edhe populli serb kishte qenë viktimë e regjimit të tij. Sipas Thaçit, prokuroria po injoron faktin thelbësor se lufta e UÇK-së kishte si synim çlirimin e Kosovës, ndërsa masakrat e kryera nga forcat serbe lanë trauma dhe plagë të thella në shoqëri.

Në deklarimin e tij, Kadri Veseli tha se gjithmonë kishte dëshiruar një jetë normale, por rrethanat e kohës dhe mohimi i të drejtave themelore e bënë të pamundur qëndrimin indiferent ndaj vuajtjeve të popullit.

Ai kërkoi shpalljen e pafajësisë, duke theksuar se asnjë akuzë ndaj tij nuk është provuar.

“I kam shërbyer vendit tim që e vërteta të njihet. Në momentet më të errëta nuk e humba besimin se liria dhe drejtësia do të triumfonin. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta nuk ka arsye t’i frikësohet drejtësisë,” deklaroi Veseli.

Procesi gjyqësor në Hagë vazhdon, ndërsa katër ish-udhëheqësit e UÇK-së këmbëngulin në pafajësinë e tyre dhe në karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës.