
Shkencëtarët e NASA-s kanë identifikuar një formë të pazakontë që i ngjan një “zemre të kuqe” në mes të një akullnaje në Norvegji, gjatë monitorimit të lëvizjes së masave të akullit në ishullin Edgeøya, në juglindje të arkipelagut Svalbard.
Vëmendja e studiuesve është përqendruar te akullnaja Stonebreen, në një zonë të izoluar dhe pothuajse të pabanuar, e karakterizuar nga sipërfaqe të mëdha akulli që ndryshojnë vazhdimisht gjatë vitit. Sipas NASA-s, këto ndryshime ndodhin përmes proceseve të quajtura “pulse” (impulse), të cilat përfaqësojnë përshpejtim të përkohshëm të rrjedhës së akullit.
Në një grafik të animuar të publikuar në faqen zyrtare të agjencisë, këto lëvizje janë paraqitur me ngjyrë të kuqe, duke krijuar një formë të ngjashme me zemrën dhe duke ilustruar qartë ritmin dhe intensitetin e rrjedhës së akullnajës në periudha të ndryshme.
Monitorimi i vazhdueshëm i akullnajave në rajonet polare ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë dinamikën e akullit në Arktik dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në këto ekosisteme të brishta.
