Një raport i publikuar së fundmi nga organizata Healthy Florida First sugjeron se një pjesë e karameleve dhe çokollatave më të preferuara në SHBA mund të përmbajnë sasi të konsiderueshme arseniku.
Në studim u analizuan 48 produkte të njohura ëmbëlsirash, ku 28 prej tyre rezultuan me nivele arseniku që, sipas autorëve, mund të paraqesin rrezik për shëndetin në rast konsumimi të vazhdueshëm.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se prania e arsenikut në ushqim nuk është e pazakontë. Sipas FDA, ky element mund të futet në zinxhirin ushqimor përmes tokës ku rriten përbërësit ose gjatë përpunimit industrial.
Megjithatë, ekspozimi afatgjatë lidhet me pasoja serioze. CDC paralajmëron se arseniku mund të kontribuojë në zhvillimin e disa formave të kancerit, problemeve të lëkurës, sëmundjeve kardiovaskulare dhe dëmtimeve neurologjike, veçanërisht te fetuset gjatë shtatzënisë.
Sipas raportit, ndër produktet e përmendura gjenden edhe marka shumë të njohura si Kit Kat, Snickers, Skittles Original, Swedish Fish, Sour Patch Kids dhe Tootsie Roll.
Nga ana tjetër, National Confectioners Association ka kundërshtuar gjetjet, duke deklaruar se studimi nuk paraqet një pasqyrë të saktë dhe se produktet e pastiçerisë mbeten të sigurta për konsum, ashtu siç janë shijuar prej vitesh nga publiku.
