KreuBusull

Majmuni i vogël Punch bëhet viral, lodra e tij nga Ikea shitet menjëherë në mbarë botën

Majmuni i vogël Punch bëhet viral, lodra e tij nga Ikea shitet
Një makak 7-muajsh i quajtur Punch është shndërruar në një sensacion në rrjetet sociale, pasi videot ku ai shihet i vetëm duke përqafuar një lodër prej pelushi kanë prekur miliona njerëz në mbarë botën. Lodrën që ai mban pranë është një orangutan prej pelushi nga Ikea.

Pamjet virale e tregojnë Punch-in të veçuar nga grupi i tij, duke u kapur pas lodrës së butë për rehati ose duke u përpjekur t’u afrohet majmunëve të tjerë në habitat. Në disa video ai duket se refuzohet nga primatët e tjerë, madje në momente të caktuara shihet edhe duke u tërhequr zvarrë, gjë që ka shkaktuar reagime të forta dhe emocionale online.

Në një deklaratë të publikuar të premten në platformën X, kopshti zoologjik konfirmoi se pamjet ku Punch trajtohet ashpër janë autentike. Sipas stafit, kjo sjellje është pjesë e procesit të rritjes dhe socializimit, pasi ai po mëson të sillet si majmun pa praninë e nënës që ta udhëheqë.

Historia e tij pati edhe një ndikim të papritur në treg. Punch u kthye në një “influencer” të paqëllimshëm: Ikea njoftoi për The Post se shitjet e lodrës orangutan DJUNGELSKOG janë rritur ndjeshëm. Kompania u kërkoi mirëkuptim klientëve në Japoni, SHBA dhe Korenë e Jugut, ku lodra është shitur plotësisht për shkak të kërkesës së madhe.

Ekspertët theksojnë se lidhjet shoqërore janë thelbësore edhe për kafshët. Joan Silk, profesoreshë e evolucionit në Universitetin Shtetëror të Arizonës, shpjegon se marrëdhëniet sociale ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Ashtu si tek njerëzit, ato ndihmojnë në përballimin e stresit dhe në menaxhimin e pasigurive që shkaktojnë ankth.

Historia e Punch-it ka rikthyer vëmendjen tek rëndësia e përkujdesjes, mbështetjes dhe lidhjeve shoqërore jo vetëm për njerëzit, por edhe për botën shtazore.