Një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Maji” në Tiranë është grabitur pak më parë nga një person i armatosur. Ngjarja ka ndodhur brenda një qendre tregtare, ku autori ka arritur të marrë një shumë parash dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se një person ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit dhe nën kërcënimin e armës, u ka marrë një shumë parash punonjësve që ndodheshin brenda. Pas grabitjes, ai është larguar me vrap, duke përfituar nga momenti i befasimit.
Sipas reagimit zyrtar të policisë, rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vend kanë mbërritur forcat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth. Shërbimet e policisë po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes.
