
Një episod i pazakontë ka tronditur një prej eventeve më të rëndësishme tradicionale në Oman. Plot 20 deve janë përjashtuar nga një konkurs prestigjioz bukurie pasi u zbulua se ishin “përmirësuar” me ndërhyrje estetike për të rritur shanset për fitore.
Konkurset e bukurisë për deve janë thellësisht të rrënjosura në kulturën e vendeve të Gjirit dhe konsiderohen pjesë e trashëgimisë beduine. Çdo vit, mijëra deve marrin pjesë në gara ku çmimet arrijnë vlera milionëshe. Vlerësimi nuk bazohet vetëm te pamja fizike, por edhe te sjellja, karakteri dhe prezenca e kafshës.
Megjithatë, në edicionin e fundit në Oman, disa pronarë tentuan të manipulonin rezultatin. Sipas inspektorëve, disa prej deveve kishin marrë injeksione Botox për t’u fryrë buzët, relaksues muskujsh për të zbutur tiparet e fytyrës dhe madje edhe silikon për të theksuar gungën karakteristike.
Autoritetet e konkursit reaguan menjëherë, duke theksuar se rregullorja është jashtëzakonisht e rreptë dhe çdo ndërhyrje artificiale përbën shkelje serioze. Si rezultat, 20 deve u skualifikuan në vend, në një përpjekje për të ruajtur integritetin dhe autenticitetin e garës.
Ngjarja ka shkaktuar debat në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar situatën si “operacione plastike në shkretëtirë”, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar kontrolle edhe më të forta në edicionet e ardhshme.
