KreuBusull

7 Marsi – Dita e Mësuesit, 139 vite nga Mësonjëtorja e Parë Shqipe

7 Marsi – Dita e Mësuesit, 139 vite nga Mësonjëtorja e
Sot në Shqipëri festohet 7 Marsi, e njohur si “Dita e Mësuesit”, një datë që përkujton një nga momentet më të rëndësishme të historisë së arsimit shqiptar.

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë shqipe, një institucion arsimor me karakter kombëtar dhe laik, ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Drejtuesi i saj ishte Pandeli Sotiri, ndërsa në drejtimin dhe zhvillimin e shkollës kontribuan edhe figura të njohura të Rilindjes Kombëtare si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami.

Hapja e kësaj shkolle shënoi një hap të madh për gjuhën dhe identitetin shqiptar, duke u kthyer në një simbol të rëndësishëm të përpjekjeve për arsim dhe kulturë kombëtare.

Festa e 7 Marsit u përforcua veçanërisht gjatë periudhës komuniste, kur kjo datë konsiderohej një nga festat më të rëndësishme për mësuesit. Në atë kohë ishte një traditë e bukur që nxënësit të zgjidhnin përfaqësuesit më të mirë të klasës për të vizituar mësuesin në shtëpinë e tij. Mësuesi i priste me ëmbëlsira dhe fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin simbolike, zakonisht lule ose libra.

Me kalimin e viteve kjo traditë ka ndryshuar. Sot “Dita e Mësuesit” festohet kryesisht në shkolla, ku organizohen koncerte, aktivitete artistike dhe programe të ndryshme festive.

Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur cilësinë në mësimdhënie, mësuesit më të dalluar vlerësoheshin me dekorata të larta si “Mësues i Merituar” dhe “Mësues i Popullit”, tituj që përfaqësonin një nga nderimet më të mëdha për profesionin e mësuesit.

Sot, 139 vite pas hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe, 7 Marsi mbetet një ditë mirënjohjeje për të gjithë mësuesit, të cilët vazhdojnë të kenë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.