Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një vajzë 20-vjeçare ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i banesës së saj në qytetin e Piacenzës.
Sipas mediave italiane, mes tyre edhe IlPiacenza, viktima është identifikuar si Anxhela Byku, me origjinë shqiptare. Ajo u rrëzua nga ballkoni i apartamentit ku jetonte së bashku me bashkëshortin, gjatë ditës së martë.
Menjëherë pas ngjarjes, e reja u dërgua në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Piacenzës, ku u shtrua në repartin e terapisë intensive. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, plagët e rënda të shkaktuara nga rënia nga lartësia rezultuan fatale dhe 20-vjeçarja ndërroi jetë mbrëmjen e së enjtes, më 12 mars.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Karabinierët e njësisë hetimore po punojnë për të rindërtuar dinamikën e asaj që ndodhi. Deri tani nuk ka dyshime për përfshirjen e personave të tjerë, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një tentativë vetëvrasjeje.
Humbja e saj ka prekur thellë familjarët dhe miqtë. Gjatë ditëve që e reja luftonte për jetën në spital, shumë të afërm dhe njohës qëndruan pranë familjes për të dhënë mbështetje. Sipas IlPiacenza, një ditë para se të konfirmohej vdekja e saj, rreth 40 persona ishin mbledhur jashtë repartit të reanimacionit në spital, duke pritur me ankth lajme për gjendjen e 20-vjeçares.
