KreuBusull

E premte e 13 pse konsiderohet ters? Historia e supersticionit që vazhdon edhe sot

E premte e 13 pse konsiderohet ters? Historia e supersticionit që vazhdon

E premtja e datës 13 konsiderohet prej kohësh si një nga datat më të pafata në kalendar për njerëzit supersticiozë. Në vitin 2026 kjo datë shfaqet tri herë në shkurt, mars dhe nëntor duke rikthyer edhe një herë diskutimet rreth origjinës së këtij besimi të përhapur në shumë vende të botës.

Një nga shpjegimet më të njohura për këtë supersticion lidhet me Darkën e Fundit, ku morën pjesë 13 persona: Jezu Krishti dhe 12 apostujt e tij. Darka u mbajt të enjten para kryqëzimit të Krishtit, ndërsa tradhtia e Judë Iskariotit ndaj tij e ka lidhur numrin 13 me fatin e keq. Në traditën simbolike, numri 12 konsiderohej i përsosur  duke përfaqësuar 12 muajt e vitit apo 12 shenjat e zodiakut ndërsa 13 shihej si numër i paplotë dhe i pafat.

Një tjetër ngjarje historike që shpesh përmendet si burim i supersticionit është arrestimi i qindra kalorësve të Urdhrit të Tempullarëve më 13 tetor 1307, një ditë e premte. Mbreti Filipi IV i Francës urdhëroi arrestimin e tyre nën presionin e Papës Klementi V, pas akuzave për herezi dhe praktika të ndaluara gjatë ceremonive të pranimit në urdhër.

Historianët besojnë se këto akuza ishin kryesisht të pabaza dhe shërbyen si justifikim për mbretin që të shkatërronte një nga urdhrat më të pasur të kohës dhe të shlyente borxhet që kishte ndaj tyre. Shumë nga tempullarët u torturuan për të pranuar fajin dhe më pas u dënuan me vdekje, shpesh duke u djegur në turrën e druve në Paris.

Mjeshtri i Madh i urdhrit, Jacques de Molay, u ekzekutua pranë Katedrales Notre-Dame dhe sipas legjendës, para se të vdiste ai mallkoi përndjekësit e tij duke thënë se drejtësia hyjnore do të binte shpejt mbi ta. Ky episod, sipas traditës popullore, ka forcuar idenë se çdo e premte që bie në datën 13 sjell fat të keq.

Frika irracionale nga kjo datë njihet me termin e ndërlikuar “paraskevidekatriaphobia”, një fjalë që përshkruan ankthin apo frikën e tepruar nga e premtja e datës 13.

Supersticione që ndikojnë edhe në sot!

Edhe pse shumë njerëz sot nuk i besojnë këtyre miteve, supersticioni për numrin 13 ka ndikuar në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme dhe në industrinë e shërbimeve.

Në shumë avionë të kompanive ajrore mungon rreshti me numrin 13. Pas rreshtit 12 zakonisht vjen direkt rreshti 14, pasi disa pasagjerë ndihen të pasigurt ose të shqetësuar të ulen në një vend me këtë numër.

E njëjta gjë ndodh edhe në shumë hotele dhe ndërtesa të larta në botë, ku shpesh nuk ekziston kati i 13-të. Ashensorët kalojnë nga kati 12 direkt në 14, për të shmangur shqetësimin e klientëve supersticiozë.

Në disa aeroporte dhe linja ajrore mungon edhe porta me numrin 13, ndërsa disa kompani transporti shmangin përdorimin e këtij numri në numrat e fluturimeve.

Supersticionet ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në vendet spanjishtfolëse dhe në Greqi, dita që konsiderohet ters është e marta e datës 13, ndërsa në Itali besohet se dita e pafat është e premtja e datës 17.

Përveç kësaj date, tradita popullore ka edhe shumë shenja të tjera që lidhen me fatin e keq, si kalimi i një maceje të zezë përpara, thyerja e një pasqyre, kalimi poshtë një shkalle, hapja e një ombrelle brenda shtëpisë apo përmendja e emrit të dramës së njohur të Shakespeare-it të quajtur “The Scottish Play” në teatër.

Edhe pse shumica e njerëzve sot e shohin këtë si një besim popullor pa bazë shkencore, e premtja e datës 13 vazhdon të mbetet një nga datat më misterioze dhe më të diskutueshme në kulturën moderne.