KreuBusull

Vdekja e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, kushërira hedh dyshime: Kush e shkroi letrën?

Vdekja e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, kushërira hedh dyshime: Kush e
Rasti i vdekjes së 25-vjeçares Xhuana Nikolli vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje. Për herë të parë ka folur publikisht kushërira e saj, Mira Nikolli, e cila në një intervistë për “Shqipëria Live” ka ndarë disa detaje nga jeta dhe situata që, sipas familjarëve, mund ta kenë rënduar të renë.

Sipas saj, Xhuana ishte rritur në një familje të thjeshtë, ku prindërit kishin rritur katër vajza me shumë sakrifica. Ajo ishte e arsimuar dhe kishte përfunduar studimet për juridik, ndërsa punonte në një zyrë noterie në Lezhë.

Mira Nikolli tregoi se martesa e parë e Xhuanës kishte zgjatur vetëm tre muaj, pasi sipas saj çifti jetonte në një ambient jo të shëndetshëm dhe kishte vendosur të ndahej me mirëkuptim. Familja e kishte mbështetur në këtë vendim dhe ndarja ishte bërë pa probleme mes palëve.

Më pas, 25-vjeçarja kishte vendosur të niste një jetë të re në Tiranë. Sipas kushërirës, ajo ishte e lumtur për këtë kapitull të ri të jetës, megjithatë kishte hasur vështirësi në marrëdhënien me bashkëshortin dhe familjen e tij.

Ajo pretendon se marrëdhënia me vjehrrën kishte qenë e tensionuar dhe se bashkëshorti i Xhuanës ishte shumë i ndikuar nga nëna e tij. Sipas rrëfimit të saj, e reja kishte kërkuar që të jetonin veçmas, por kjo nuk ishte pranuar nga familja e djalit.

Kushërira shtoi se nga njerëz të afërt kishte dëgjuar edhe për pretendime lidhur me dhunë ndaj Xhuanës, ndërsa theksoi se janë raportuar edhe shenja dhune, gjë që sipas saj shton dyshimet për rrethanat e ngjarjes.

Ajo tregoi gjithashtu se ditën e ngjarjes Xhuana kishte folur me nënën e saj dhe dukej e lumtur për punën e re. Madje, sipas familjarëve, në mbrëmje ishte planifikuar të festohej ditëlindja e një fëmije në familje dhe 25-vjeçarja kishte blerë edhe një fustan për këtë rast.

“Pse duhet ta vriste veten pikërisht atë ditë kur kishte plane dhe dukej e lumtur?”, u shpreh ajo.

Në fund, Mira Nikolli ngriti dyshime edhe për një letër që thuhet se është gjetur, duke pyetur nëse ajo është shkruar vërtet nga Xhuana apo nga dikush tjetër.

Sipas saj, vetëm personat që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes mund ta dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur.