Trupi i një vajze 25-vjeçareje u largua nga kjo botë me eutanazi këtë javë, duke lënë pas një histori tronditëse dhimbjeje, vuajtjeje dhe debate ligjore që kapluan Spanjën. Noelia Castillo Ramos, një vajzë që luftoi për të shpëtuar jetën e saj nga dhimbja kronike dhe trauma emocionale, ndërroi jetë të enjten në një qendër kujdesi në Barcelonë, pas një vendimi ligjor që i dha të drejtën për të zgjedhur fundin e vuajtjes së saj.
Rasti i Noelias mori vëmendje të gjerë për shkak të historisë së saj tragjike. Ajo kishte deklaruar se ishte përdhunuar në dy raste fillimisht nga ish-i dashuri dhe më pas nga tre të rinj në vitin 2022 ngjarje që ajo i përshkroi si pikë kthese në jetën e saj. Pas këtyre traumave, në tetor 2022, ajo tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga kati i pestë i një ndërtese, në një gjendje të rënduar edhe nga përdorimi i kokainës, pasi më herët kishte tentuar edhe mbidozë me ilaçe.
Rënia e la atë të paralizuar nga mesi e poshtë, duke i shkaktuar dhimbje të forta, kronike dhe të pashërueshme, pa asnjë mundësi për përmirësim, sipas raporteve mjekësore. Për vite me radhë ajo jetoi me dhimbje të vazhdueshme fizike dhe vuajtje të thellë psikologjike. Vetë Noelia kishte qenë në trajtim psikiatrik që në moshën 13-vjeçare, pas ndarjes së prindërve të saj, dhe ishte diagnostikuar me çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe çrregullim të personalitetit kufitar (BPD).
Pas viteve të vuajtjes, ajo kërkoi eutanazinë, duke qenë “shumë e qartë” për dëshirën e saj që në fillim. Në intervistën e saj të vetme televizive, ajo deklaroi: “Dua të iki tani në paqe dhe të ndaloj së vuajturi, pikë.” Ajo shtoi se ndihej gjithmonë e vetmuar dhe e shihte botën e saj “shumë të errët”, ndërsa dhimbjet fizike dhe pamundësia për të fjetur e bënin jetën e saj të padurueshme.
Procedura e eutanazisë u miratua fillimisht në korrik 2024 nga një komision ekspertësh në Katalonjë, por u bllokua për muaj të tërë nga babai i saj, i cili nisi një betejë të gjatë ligjore për ta ndaluar atë. Ai argumentoi se gjendja mendore e vajzës së tij ndikonte në aftësinë e saj për të marrë një vendim të tillë dhe kërkoi trajtim të mëtejshëm psikologjik.
Çështja kaloi nëpër disa nivele të sistemit gjyqësor spanjoll, deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tij. Më pas, ai iu drejtua edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por edhe kjo e fundit refuzoi të ndalonte procedurën. Përpjekjet e fundit ligjore për ta pezulluar eutanazinë u hodhën poshtë nga një gjykatës vetëm një ditë para vdekjes së saj.
Në familje, tragjedia u përjetua me ndarje të thella emocionale. Babai i saj e kundërshtoi deri në fund vendimin, ndërsa nëna e saj, Yolanda “Yoli” Ramos, edhe pse shpresonte që vajza të ndryshonte mendje, vendosi të qëndronte pranë saj “deri në fund”. Vetë Noelia kishte deklaruar se familja e saj nuk e mbështeste eutanazinë, por theksonte: “Lumturia e një babai apo nëne nuk mund të jetë më e rëndësishme se jeta e një vajze.”
Në momentet e fundit, ajo kishte shprehur dëshirën të vdiste “e bukur”, duke veshur fustanin e saj më të bukur dhe duke vendosur grim. Edhe pse kishte ftuar familjarët për t’u përshëndetur, ajo kërkoi të ishte vetëm në dhomën e saj në momentin e vdekjes. Pranë saj donte të kishte katër fotografi nga momente të lumtura të jetës së saj: një ku pikturonte portretin e nënës, një të qenushit të saj të fëmijërisë, një nga dita e parë e shkollës dhe një tjetër nga fëmijëria.
Rasti i Noelias ndezi një debat të fortë publik në Spanjë mbi kufijtë e ligjit të eutanazisë, veçanërisht për personat e rinj dhe ata me probleme të shëndetit mendor. Spanja e legalizoi eutanazinë në vitin 2021 për persona me sëmundje të pashërueshme ose gjendje të rënda invalidizuese, por rasti i saj nxori në pah dilema të mëdha etike dhe ligjore.
Avokatët që përfaqësuan babanë e saj deklaruan se rasti tregon “mangësi të thella të ligjit të eutanazisë që nuk mbron më të dobëtit”, duke kërkuar reflektim nga politikanët dhe shoqëria.
Noelia Castillo Ramos u largua nga kjo botë duke i dhënë fund një vuajtjeje të gjatë dhe të rëndë, por historia e saj la pas një shoqëri të tronditur dhe një debat të hapur që vazhdon të ndajë opinionin publik mbi të drejtën për të vendosur mbi fundin e jetës.
