
Kalimi në orën verore po afrohet dhe këtë të diel, më 29 mars, akrepat do të lëvizin përpara. Në orën 03:00, ora do të shkojë direkt në 04:00, që do të thotë se do të flemë një orë më pak, por do të kemi më shumë dritë gjatë ditës.
Ky ndryshim zbatohet në vendet e Bashkimit Europian, sipas sistemit të përbashkët të orës verore dhe dimërore. Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri në fund të tetorit, konkretisht më 25 tetor 2026, kur akrepat do të kthehen sërish pas.
Qëllimi i këtij sistemi është të shfrytëzohet më mirë drita natyrale gjatë muajve të ngrohtë dhe të kursehet energjia. Edhe pse kjo praktikë aplikohet prej shumë vitesh në Europë, diskutimet për heqjen e saj kanë qenë të vazhdueshme.
Për shumicën e njerëzve, ndryshimi do të ndodhë automatikisht në pajisjet elektronike si telefonat apo kompjuterët. Ndërkohë, orët analoge apo pajisjet më të vjetra do të duhet të rregullohen manualisht.
Ekspertët këshillojnë që në ditët e para pas ndryshimit të orës t’i kushtohet më shumë vëmendje gjumit dhe ritmit ditor, pasi organizmit i duhet pak kohë për t’u përshtatur. Megjithatë, përfitimi kryesor mbetet zgjatja e dritës natyrale në orët e pasdites.
